Lëvizja Vetëvendosje- dega në Podujevë përmes një komunikate për medie ka reaguar ndaj Zyrtarit për Informim në Podujevë, Bujar Gimolli, për siç thotë kjo parti, shpërndarjen e lajmeve të rreme në rrjetin social Facebook.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! dega në Besianë reagon ndaj lajmit të rremë të shpërndarë nga zyrtari për informim në Komunën e Besianës, Bujar Gimolli, i cili në një postim ne Facebook ka shkruar se LVV nuk ka marrë pjesë në homazhet e organizuara nga Komuna e Podujevës” thuhet në reagim, transmeton Llapi.info.

Përveç reagimit të kësaj partie ndaj zyrtarit komunal të Podujevës, Vetëvendosje në reagim ka sqaruar edhe agjendën e tyre gjatë ditës së sotme ku thuhet se homazhet kanë filluar që nga ora 10:00 e mëngjesit në kompleksin memorial “Adem Jashari”.

“Për të qenë korrekt, LVV! nuk ka pranuar ftesë zyrtare nga Komuna e Besianës.
Megjithatë, LVV!, së bashku me këshilltarë të Kuvendit Komunal të Besianës dhe aktivistë, ka bërë homazhe sot në Prekaz në ora 10:00 tek kompleksi memorial “Adem Jashari”.
Nga ora 14:00 po të njëjtit kanë bërë homazhe tek shtatorja e Ali Ajetit në Podujevë.
Ndërsa, nga ora 14:10 tek shtatoret e heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konjshevci në “Sheshin e Dëshmorëve”” thuhet tutje në këtë reagim.
VV- dega në Podujevë thotë se “zyrtarët për informim dhe personat përgjegjës në Komunë nuk e kanë njoftuar e as ftuar zyrtarisht Lëvizjen për homazhet që do të mbahen, pa kryetarin e Besianës në kuadër të komunës.”

“Gjithashtu, në këtë reagim duam të demantojmë edhe shpifjet tjera të ultë, që sot janë lansuar nga portale dhe faqe të kontrolluara nga ato grupe politike, që në luftë u distancuan nga lufta dhe sakrifica e familjes Jashari dhe UÇK-së, kurse pas luftës as njëherë të vetme nuk e vizituan Prekazin.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, është i vetmi subjekt politik, që jo vetëm në formë ceremoniale një herë në vit, por për çdo ditë, përmes aktivitetit politik, nderon dëshmorët dhe angazhohet në ruajtjen dhe konkretizimin e idealit të tyre”

“Andaj, ne bëjmë thirrje nga institucionet përgjegjëse që të merren me zyrtarin për informim, Bujar Gimolli i cili nuk është hera e parë që shpërndan lajme të rreme në dëm të Lëvizjes Vetëvendosje në Besianë”, përfundon reagimi i LVV- së.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, zyrtari për informim në Podujevë, Bujar gimolli kishte shkruar një status në rrjetin social Facebook se VV e Podujevës nuk ka marrë pjesë në homazhet e organizuara nga Komuna e Podujevës.

Statusi i Gimollit:

vv e Podujeves nuk mori pjese ne homazhet e organizuara nga Komuna e Podujeves, per nder te Epopese se UÇK-se.
Le ta gjykoi qytetari llapjan, nese meriton te mbeshtetet nje subjekt politik, i cili pervec qe nuk e njeh himnin dhe shtetin e Kosoves, nuk i respekton as heronjet e lirise./Lalpi.info