Pas varësit të tij, Petar Petkoviq, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat e automjeteve dhe aplikimin e reciprocitetit lidhur me letërnjoftimet për qyetarët e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Pas takimit me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Aleksandar Vuçiq iu drejtua gazetarëve, duke komentuar vendimet e sotme të Qeverisë së Kosovës.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm për dialog, ndërsa disa të tjerë nuk janë kurrë të gatshëm për dialog përmbajtësor, por kanë mbështetjen e fuqive perëndimore, bëhet fjalë për marrjen e dy vendimeve në institucionet e tyre, njëra është shkurtimi i të drejtës për të hyrë në Kosovë me letërnjoftime… Vendimi tjetër me qëllimin e vetëm për të dëbuar serbët”, tha Vuçiq, para gazetarëve, transmeton Telegrafi.

Vuçiq ka thënë se “nëse Prishtina nuk i bindë serbët që të riregjistrojnë automjetet me targa [RKS], atëherë institucionet e Kosovës do t’ua marrin targat dhe veturat e serbëve”.

“Ata po llogarisin që serbët të largohen nga veriu i Kosovës”, tha Vuçiq.

Vuçiq theksoi se lidershipi shqiptar kinse ka marrë mbështetje nga Britania e Madhe, Gjermania dhe vende të tjera të QUINT-it.

“Me vite po I durojmë gënjeshtrat… Nuk është problem ajo që ata mendojnë se ne jemi budallenj, por se mendojnë se janë shumë të zgjuar”, tha Vuçiq për Perëndimin.

Vuçiq tha se Prishtina po planifikon një “sulm në veri të Kosovës deri më 1 tetor”.

“Na dhanë afat për targat deri në fund të shtatorit, do të thotë se më së voni deri më 1 tetor po planifikojnë sulm të përgjithshëm në veri të Kosovës”, tha presidenti i Serbisë.

Vuçiq pyeti se për çfarë duhet të jetë dialogu Kosovë- Serbi pas vendimeve të tilla të autoriteteve të Kosovës.

“Dialog për çfarë? Për çfarë të flasim? Ja, jemi gati, nuk e di për çfarë të flasim”, tha Vuçiq.

Ai ka thënë se Serbia ka përmbushur gjithçka nga marrëveshja e Brukselit, kurse Kosova asgjë.

Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën vendimin për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë – të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – në RKS (Republika e Kosovës).

Bëhet fjalë për veturat me targat PR (Prishtinë), GL (Gjilan), PZ (Prizren), KM (Mitrovicë e Kosovës) e kështu me radhë.

Targat e tilla janë hequr në zonat e populluara me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në vitin 2011, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën, u miratua edhe udhëzimi për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, të lëshuara nga autoritetet serbe.

Sipas tij, të gjithë ata persona që kanë dokumente personale të lëshuara nga autoritetet serbe, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të marrin një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Përndryshe, të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale.

Ndaj këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës reagoi Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke thënë se “Albin Kurti po i kërcënon me luftë serbët në Kosovë”.