Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të takohet në Romë më 8 maj me zëvendëskryeministrin italian Mateo Salvoni.

Kështu shkruan agjencia serbe e lajmeve Tanjug, duke u thirrur në burime diplomatike.

Madje, siç shkruan tutje ky medium, përcjell Telegrafi, tema e diskutimit të tyre do të jetë Kosova dhe Metohia.

Sipas të njëjtave burime, presidenti i Serbisë në të njëjtën ditë në mbrëmje ka për t’u takuar me kreun e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini në Tiranë, në periferi të një takimi në kuadër të samitit Brdo-Brioni.

Po sipas Tanjug, më parë sot, Drejtori i të ashtuquajturës Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, njoftoi pjesëmarrjen në samitin e presidentit serb në Brdo-Brioni, siç thuhet “në kontekstin e angazhimit të vazhduar diplomatik në kërkimin e zgjidhjeve për çështjen e Kosovës”.

Presidenti Vuçiq, theksohet tutje, për Kosovën foli javën e kaluar me krerët e dy anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusisë dhe Kinës, pas së cilave takime ka marrë pjesë në Samitin e Berlinit.