Me votat e pozitës e opozitës sot në seancën e parë të qeverisjes së re komunale të Podujevës, është themeluar Komisioni Statutar për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të Komunës së Podujevës, shkruan Llapi.info.

Ky ndryshim u pa i arsyeshëm thuajse nga të gjitha partitë komunale ani pse ato opozitare kërkuan plotësimin e tij me disa pika të ndryshme.

Fatmir Gashi nga LDK tha se ndryshimi i këtij statusi është i nevojshëm për shumë arsye pasiqë ai nuk është ndryshuar që nga viti 2013.

“Ne si LDK mbështesim këtë iniciativë. Statuti është ndryshuar më 2009 dhe 2013 dhe është i nevojshëm që të ndryshohet edhe tani. Është i nevojshëm pasi në statutin e tanishëm akoma figuron që Komuna e Podujevës ka 41 këshilltarë komunal teksa sot ne kemi 35” tha ai.

Kryetari i Vetëvendosjes në Podujevë, Bajram Ajeti ka thënë se edhe VV e mbështetë këtë pikë të rendit të ditës por jo edhe dolloveret, siç i quajti ai, të cilat do të shfrytëzoheshin për qëllime politike.

Pas propozimeve të anëtarëve për përbërje të Komisionit pjesë e të cilit u propozua edhe ai vet tha se edhe në këtë rast nuk kemi një përfaqësim të denjët të gjinisë femërore.

Ai propozoi edhe zgjerimin e komisionit propozim i cili edhe u morr parasysh nga Kryesia e Kuvendit.

Për ndryshimin e Statutit të Komunës ishte edhe PDK e partitë tjera pakicë në Kuvend./Llapi.info