Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë sot në Beograd se raporti i Komisionit Evropian për përparimin e Serbisë në procesin e anëtarësimit përmban shumë kritika. Ajo tha se ka një tendencë për t’i dhuruar diçka presidentit serb para zgjedhjeve, duke shtuar se nuk është detyrë e KE-së ta bëjë këtë.
“Është nënshkruar nga komisioneri hungarez (Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi) dhe siç thashë më herët, ka një tendencë për t’i dhënë diçka presidentit serb para zgjedhjeve, gjë që është normale dhe në rregull, por kjo nuk është punë e Komisionit”, u tha ajo gazetarëve.
“Nëse keni vërejtje kritike për situatën aktuale, si mund të keni më në fund një ide për hapjen e kapitujve. Ne duhet ta diskutojmë këtë në javët në vijim. Unë shoh shumë shenja skepticizmi te kolegët e mi në Parlament”, shtoi ajo.
Ndërsa në pyetjen për arritjen e mundshme të marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ajo tha se zhvillimi i situatës në dialog varet ekskluzivisht nga Kosova dhe Serbia, por theksoi se nuk pret përparim në këtë çështje para zgjedhjeve në Serbi.






