Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka dalë me një telegram ngushëllimi pas ndarjes nga jeta e këngëtares Shahindere Bërlajolli – Stafaj.
Dumoshi në telegram ka shkruar se është e prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët, në këto ditë të vështira.
Telegrami i Dumoshit:
Të nderuar familjarë, miq, artdashës,
Sot, mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të këngëtares së mirënjohur, Shahindere Bërlajolli Stafaj. Jam e prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët, në këto ditë të vështira.
Shahindere Bërlajolli – Stafaj, me zërin e saj unik, i dha muzikës tonë perla të cilat do t’i kujtojmë përherë me nostalgji.
Repertori i saj i pasur gjysmë-shekullor, është vlerë për këngën dhe lirikën shqipe.
Me dashuri do t’i kujtojmë përherë këngët e saj origjinale popullore “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “O bylbyl me pika-pika”, “Një lule në Gostivar”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules” etj. Me këto këngë u rritëm gjenerata të tëra. Opusi i saj muzikor do të mbesë përherë thesar autokton i muzikës burimore shqiptare.
Me nderimin më të madh për kontributin dhe trashëgiminë e pavdekshme muzikore te saj, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe artdashësve.