Qeveria federale e Gjermanisë ka uruar Kosovën dhe Serbinë, si dhe BE-në si ndërmjetësuese, për marrëveshjen e arritur sot në Bruksel për çështjen e energjisë.

Urimin e qeverisë e përcolli zëdhënësi i saj, Steffen Hebestreit, përmes një postimi në Twitter.

“Urime për kryenegociatorët e Serbisë dhe Kosovës, si dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Lajçak. Sikurse e ka nënvizuar kancelari Scholz gjatë vizitës së tij të fundit në rajon: Gjermania i mbështet plotësisht hapat e ardhshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai.

Emsiari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, sot njoftoi se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë në kuadër të dialogut të Brukselit.

“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.

Ai ka publikuar Udhërrëfyesin me pikat e marrëveshjes.

Pika dy e marrëveshjes thotë se pas shtatë ditëve të marrjes së licencës, Elektrosever do t’i njoftojë KEDS-in dhe KOSTT-in për të dhënat më të reja të konsumatorëve.

Kurse pas 10 ditëve, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT dhe KEDS në mënyrë që të operojë në tregun e energjisë në Kosovë.

Pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, 15 ditë më pas Elektrosever do të pajiset me Kodin Identifikues të Energjisë në mënyrë që të zhvillojë aktivitetet e saj sipas licencës së furnizimit.

30 ditë pasi Elektrosever të pajiset me licencë, KEDS dhe KOST (nën ndërmjetësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të ketë qasje në nën-stacionin e Vallaqit si dhe në infrastrukturën tjetër të transmisionit dhe distribuimit.

Nëse pas 100 ditëve, nuk zbatohet dispozitat për të cilat është rënë dakord, ZRRE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën për Elektrosever.