Foto ilustrim

Shënjestër e hajnave jo rrallëherë kanë qenë edhe pronat e politikanëve, të drejtuesve të institucioneve dhe vetë institucionet e Kosovës.

Rasti më i fundit është ai i deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta.

50 mijë euro “cash” dyshohet se i janë vjedhur të premten mbrëma në shtëpi deputetit Shkreta.

Në një raport të Policisë së Kosovës, të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se nuk janë gjetur shenja se dera e banesës së Shkretës është hapur me forcë, ndërsa organet e rendit dyshojnë se dera është hapur me çelës.

Vjedhja mori jehonë edhe kur u kuptua që deputeti nuk i kishte të deklaruar këto mjete në Agjencinë Kundër Korrupsionit, e cila në një përgjigje për KALLXO.com tha se nëse vërtetohet se paratë janë mbajtur “cash” nga viti i kaluar, atëherë ka mundësi të cilësohet si shkelje.

KALLXO.com sjell një përmbledhje të vjedhjeve më të famshme në shtëpitë e politikanëve, të drejtuesve të institucioneve dhe në vetë institucionet e Kosovës.

Tentim vjedhja në shtëpinë e Hashim Thaçit

Një tentim vjedhje kishte ndodhur në vitin 2008 në shtëpinë e Hashim Thaçit nga një person me inicialet F.S.

Me të hyrë në oborr, F.S. ishte plagosur nga policët të cilët ruanin shtëpinë e Thaçit që në atë kohë kishte pozitën e kryeministrit të vendit.

F.S. fillimisht ishte dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë.

Por në vitin 2011 prokurori i EULEX-it, Pascal Persoon, vendosi që ta heqë si pikë të aktakuzës ndaj F.S. – vrasjen e rëndë në tentativë, duke thënë se nuk kishte gjetur asnjë provë për këtë pikë për ta akuzuar të dyshuarin.

Vjedhja e shtëpisë së Aleksandër Lumezit

Shënjestër e hajnave kishte qenë edhe shtëpia e tashmë ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në vitin 2016.

Hajnat të cilit kishin qenë të pajisur me maska dhe armë zjarri kishin marrë një telefon celular të markës ‘Samsung’ në shtëpinë e Lumezit.

Ata në momentin që kanë dëgjuar familjarët brenda shtëpisë kishin arritur të largohen.

Sipas aktakuzës për këtë rast më 22 nëntor 2016, rreth orës 03:25, në lagjen ’’Veternik’’ në Prishtinë, të pajisur me maska dhe armë zjarri, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja, të luajtshme dhe që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, duke depërtuar me forcë kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Aleksandër Lumezi-Kryeprokuror i Shtetit, ku kanë marrë një telefon celular të markës “Samsung” të papërdorur dhe në momentin që kanë dëgjuar familjarët duke lëvizur janë larguar me shpejtësi nga shtëpia.

Deputetit i vidhet arma, e Kuvendit Komunal vetura

Andin Hotit, deputet në vitin 2018, i ishte vjedhur arma nga vetura e tij.

Sipas Policisë, arma e Hotit kishte qenë në një çantë dhe me leje zyrtare ndërsa ishte iniciuar rast si vjedhje e rëndë.

Pesë mijë euro, stoli ari, një armë me leje ishin vjedhur në shtëpinë e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtakut, në maj të vitit 2021.

Rasti ishte iniciuar nga Policia e Kosovës si ‘vjedhje e rëndë’.

Një veturë e Kuvendit Komunal të Pejës që përdorej edhe nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ishte vjedhur në mars të vitit të kaluar.

Vetura ishte gjetur e parkuar në fshatin Drelaj ndërsa në të nuk kishte ndonjë person. Për këtë rast një person ishte arrestuar.

Djalit të kryetarit të Fushë-Kosovës i vidhet vetura para shtëpisë

Një veturë e tipit BMW në vlerë rreth 13 mijë euro ishte vjedhur para shtëpisë së kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha. Në atë kohë Burim Berisha ishte në garë për t’u rizgjedhur.

KALLXO.com kishte mësuar se vetura ishte e Guri Berishë, djali i Burim Berishës, i cili kishte konfirmuar se vetura i është vjedhur.

Dy ditë më vonë Policia e Kosovës kishte arritur që të identifikojnë dhe të gjejë veturën e tipit BMW në një fshat të Mitrovicës.

Skandali i vjedhjes në dhomën së dëshmivë në Policinë e Kosovës

Në natën mes datës 24 dhe 25 prillit të vitit 2009 ishte bërë publik një skandal që kishte ndodhur në “shtabin” e Policisë. Cak i një vjedhjeje kishte qenë dhoma e dëshmive, që do të duhej të ishte vendi më i sigurt në Kosovë.

47 kilogramë drogë të llojit heroinë ishin vjedhur në dhomën e dëshmive brenda objektit të Policisë së Kosovës.

Bashkë me 47 kilogramë heroinë ishin vjedhur edhe një shumë e konsideruar e parave në valuta të ndryshme si dhe disa dokumente të hetimeve.

Për rastin ishin hetuar 13 persona por askush nuk është dënuar.

Një vjedhje tjetër kishte ndodhur në dhomën e dëshmive në stacionin policor në Pejë. Ndërmjet shkurtit dhe prillit të vitit 2012 ishin vjedhur 25 kilogramë ar.

Në atë kohë kjo çështje kishte marrë vëmendje pasi që ari ishte nxjerrë nga stacioni jashtë mureve të ndërtesës nga një zyrtar policor.

Në po atë kohë katër zyrtarë policorë u patën arrestuar si të dyshuar në lidhje me rastin./kallxo.com