Lokale - eSIMy

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka prezantuar sot masat e reja ndaj COVID-19, të cilat hyjnë në fuqi nga data 4 maj, e që ndahen në tri faza, transmeton Llapi.info.

Ai ka bërë të ditur se nga e hëna do të zgjerohet koha e lirimit të lëvizjes së qytetarëve, nga 90 minuta në ditë, në tre orë në dy orare në dy ndërrime.
Vitia ka thënë se viti 2020 do të jetë vit i distancës, duke shtuar se nuk do të ketë as dasma këtë vit.

“Këtë vit nuk do të ketë ahengje, dasma as ceremoni mortore e tubime. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të festojmë ditëlindje, fejohem apo martohem por pa tubime. Një ceremoni mortore, rrezikon jetën e të tjerëve. Këtë virus nuk guxojmë ta neglizhojmë. Ky vit do të jetë vit i distancës, i higjienës”, ka theksuar Vitia.

Vitia prezantoi edhe masat e reja:

“Në koordinim me aktorët vendorë dhe ndërkombëtarë kemi vendosur për hapjen e ekonomisë dhe heqjen e kufizimeve ta bëjmë në tre faza: Do të fillojë nga data 4 maj dhe do të vazhdojë deri më 13 maj. Do të zgjerohet orari i lëvizjeve në 3 orë – në dy orare – para dhe pas dite”.

“Hapen këto pjesë të ekonomisë: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, riparimi i artikujve personal, zyrat e konsulencës. Oraret do të publikohen menjëherë pas kësaj konference”, tha Vitia.

“Faza e dytë, nga data 18 maj deri më 1 qershor, do të lirohen masat, por kjo do të varet nga rekomandimet e IKSHPK-së. Duhet ta kemi parasysh që kalimi nga faza e parë në të dytën ose anasjelltas varet nga të gjithë ne”, tha ai.

“Nëse nuk kemi rritje të rasteve, atëherë natyrisht se do të ecim përpara. Por, nëse përkeqësohet gjendja, do të kthehemi mbrapa”, shtoi Vitia./Llapi.info