Lokale - eSIMy

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar përgatitjet operacionale për protestën e paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila pritet të mbahet sot, nga ora 12:00 në sheshet e Prishtinës.

Policia ka bërë të ditur se do të angazhojë njësi policore për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe mbarëvajtjen e protestës.

Sipas Policisë, zyrtarët kompetentë kanë zhvilluar takim me përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës, me qëllim të koordinimit dhe njoftimit rreth organizimit të protestës dhe masave të sigurisë.

Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të respektojnë ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, duke kërkuar që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente.

Në njoftim, PK-ja ka paralajmëruar pjesëmarrësit që të mos hedhin gjësende apo mjete të forta dhe të mos përdorin maska gjatë protestës.

Për shkak të lëvizjes së protestuesve, Policia ka paralajmëruar se mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë që çojnë drejt shesheve të kryeqytetit.

“Për shkak të zhvillimit të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa rrugë që të shpien drejt shesheve të kryeqytetit, andaj janë paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, thuhet në njoftim.

Policia ka thënë se zyrtarët e saj do të jenë të pranishëm në terren gjatë gjithë aktivitetit, duke theksuar se siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e protestës mbeten prioritet.