Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka falënderuar Kongresin Amerikan dhe kongresistin Eliot Engel që hapi dyert e Kongresit, për dëshmitë e dhunës së shkaktuar nga forcat serbe në Kosovë.
Veseli tha nëpërmjet faqes së tij në Facebook se Kosova nuk do të harrojë kurrë krimet serbe dhe do të kërkojë drejtësi ndërkombëtare për masakrat, dhunimet dhe gjenocidin serb në Kosovë.
“Vasfije Krasniqi-Goodman e tha edhe sot se është vetëm drejtësia ajo qe do të shërojë vuajtjet dhe plagët e saja nga lufta. Në Komitetin për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan ajo, Ilir Bytyqi, dhe ish-presidentja Atifete Jahjaga dëshmuan për krimet makabre të pushtetit serb ndaj qytetarëve të Kosovës. Janë edhe qindra e qindra krime të kryera në Kosovë autorët e së cilës jetojnë të lirë dhe të pandëshkuar. Por ne nuk do të harrojmë. Do të kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për masakrat, dhunimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Falënderoj Kongresin Amerikan, kongresistin Eliot Engel që hapi dyert e kësaj shtëpie të madhe të demokracisë dhe lirisë në botë, për dëshmitë e dhunës se shkaktuar në Kosovë. Nuk do të ndalemi për të treguar të vërtetën në secilin kënd të botës”, ka shkruar Veseli.
Pikërisht për këtë çështje ditë më parë i është drejtuar Kongresit Amerikan dhe gjitha parlamenteve të vendeve mike për tu kërkuar të nxjerrin rezoluta që konfirmojnë dhunën dhe masakrat që forcat serbe kryen ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.