Kryetari i PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka qëndruar gjatë ditës së sotme në qytetin e Podujevës për të marrë pjesë në zbulimin e shtatoreve të dëshmorëve Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Zahir Pajaziti dhe Ilir Konushevci.

Me këtë rast, Veseli tha se u ndie i emocionuar “kur pashë përmendoret e Zahirit, Hakifit, Edmondit dhe Ilirit në qendër të qytetit në Podujevë”.

“Ato bartin një mesazh të madh për gjeneratat e reja që do ta trashëgojnë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Bartin mesazhin se si punohet, luftohet e sakrifikohet për atdheun”, tha Veseli në një publikim në Facebook.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vepra më sublime që ka krijuar populli ynë në histori, tha më tej ai.

“E tillë do të mbetet përgjithmonë, sepse tregimi për lirinë e Kosovës nuk mund të shkruhet pa UÇK-në”, deklaroi në fund Veseli.

Sot është 21 vjetori i rënies së luftëtarëve të radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu./Llapi.info