Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Ditën e Evropës që sot po kremtohet në Kosovë si festë zyrtare, e ka quajtur njollë për BE-në faktin se qytetarët e Kosovës padrejtësisht janë të izoluar.
Ndër tjera, Veseli ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha detyrat për liberalizim, ndërsa tani, BE-ja duhet t’i përmbahet premtimeve.
“Kosova ka vetëm një vizion dhe ndjek vetëm një rrugë: Integrimin në botën perëndimore. Kjo është një e drejtë historike e popullit tonë, që jo vetëm gjeografikisht, por edhe në vlera dhe identitet i përket kësaj bote. Kosova beson dhe punon në këtë drejtim. As sfidat që sot kemi, e as hezitimet e institucioneve të BE-së, nuk do të mund të na ndalin në të drejtën tonë legjitime. Kosova ka përmbushur detyrat e saj për liberalizimin e vizave. BE duhet t’u përmbahet obligimeve dhe premtimeve të veta. Izolimi i padrejtë i qytetarëve të Kosovës nga liria e lëvizjes në BE, sot në Ditën e Europës është një njollë për BE-në”, ka shkruar Veseli.