Janë vendosur shenjat që ndalojnë qarkullimin e trotinetëve elektrikë, biçikletave dhe motoçikletave në Bulevardin e Dëshmorëve në Podujevë, raporton Llapi.info.
Vendosjen e këtyre shenjave e ka bërë të ditur Komuna e Podujevës, në një postim në rrjetin social, Facebook.
“Drejtoria e Shërbimeve Publike ka vendosur shenjat e lajmërimit për ndalimin e ngasjes së motoçikletave, biçikletave, trotinetëve elektrik dhe mjeteve të tjera në sheshin e qytetit. Ky vendim është marrë pak ditë më parë nga ana e kryetarit të komunës me qëllim të parandalimit të çfarëdo forme të rrezikimit apo lëndimit të qytetarëve, si dhe evitimit të ndonjë dëmi eventual dhe ankesave të shumta të qytetarëve”, thuhet në kumtesë.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të motoçikletave, biçikletave, trotineteve elektrike e mjeteve tjera të ngjashme brenda hapësirës së Bulevardit të qytetit.
Siç thuhet në këtë vendim, kjo është bërë me qëllim të parandalimit të rrezikimit apo lëndimit të qytetarëve në Bulevardin e qytetit.
“Masa e ndalimit të ngasjes së mjeteve sipas nenit 1 bëhet për shkak të pengimi të qarkullimit të lirë të qytetarëve në Sheshin/Bulevardin e qytetit dhe me qëllim të parandalimit të çfarëdo forme të rrezikimit apo lëndimit të qytetarëve, si dhe të evitimit të ndonjë dëmi eventual. Për zbatimin e vendimit kujdesen Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe Drejtoria e inspeksionit, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës”, thuhet në vendimin e Bulliqit./Llapi.info






