Gjatë ditës së sotme, edhe një pacient i prekur me coronavirus në Kosovë ka ndërruar jetë, duke e çuar kështu në 21 numrin e viktimave nga kjo pandemi në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar Arben Vishaj, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Viktima është një 44-vjeçar nga Komuna e Gjilanit.

“Sot në ora 11:30, për fakt të keq një person ka vdekur nga koronavirusi. Pacienti që ka humbur betejën me COVID-19, ka pasur sëmundje shoqëruese paraprakisht. Ky është pacienti i 21 i cili ka vdekur nga koronavirusi”, tha Vishaj, për REL.

Ai ka bërë të ditur se aktualisht në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 60 pacientë me koronavirus, pesë prej tyre janë me oksigjenoterapi dhe një pacient është i intubuar.

Në mesin e personave të hospitalizuar, tregon Vishaj, janë edhe tre fëmijë, njëri prej tyre 8-muajsh dhe dy të tjerët janë 1 vjeç deri 1 vjeç e gjysmë.

Në Klinikën Infektive po ashtu janë duke u trajtuar edhe dy gra shtatzëna, gjendja e së cilave, sipas Vishajt, është e mirë.

Kosova aktualisht ka konfirmuar 731 raste me koronavirus, ndërsa 165 janë shëruar.