Sot është bërë një vit nga vdekja tragjike e dy policëve të Kosovës, Armend Trena dhe Malsor Dashi, për këtë rast Prokuroria e Ferizajt ka mbyllur hetimet. Nga materialet e grumbulluara konfirmohet se të rinjët nga qyteti i Kaçanikut që u mbytën në Lepenc kanë shkaktuar vetaksident.
Aksidenti i rëndë në të cilin humbën jetën 23 vjeçarët, Armend Trena dhe Malsor Dashi pikëlloi gjithë Kosovën.
Për këtë ngjarje u thanë lloj-lloj versionesh por përfundimisht organet e hetuesisë kanë vërtetuar se të rinjët shkaktuan vetaksident.
“Janë mbyllur hetimet, pas dëgjimit të dëshmitarëve, ekspertizave, autopsisë- hetimit të vendit të ngjarjes kanë rezultuar se ka qenë vetaksident”, tha për Gazetën Express Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizaj, Shukri Jashari.
Ekspertiza dëshmoi se vetura zyrtare e PK-së me të cilën udhëtuan policët ka qenë në rregull teknikisht. Sipas raportit të autopsisë u bë e ditur se dy policët kanë vdekur para se të bien në lumin Lepenc.
Por si ndodhi ky aksident?
Policia tha se vetura zyrtare në të cilën gjendeshin dy policët kishte humbur kontrollin dhe kishte dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi në rrjedhën e lumit Lepenc.
Për gjetjen e trupave të tyre institucionet kompetente të Kosovës u mobilizuan dhe kërkuan disa ditë rresht nëpër lumin e rrëmbyeshëm. Numër i madh i zhytësve u angazhuan në këtë proces.
Dramë e madhe derisa u gjetën trupat e tyre
Trupat e tyre u gjetën disa ditë më vonë në ujërat e lumit Lepenc pas kërkimeve nga ekipet e Policisë, FSK-së, Zjarrfikësve e qytetarëve vullnetarë. Nga Lepenci pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk u nxorrën të gjallë.
Dy policët, Malësor Dashi e Armend Trena, u aksidentuan më 28 prill të vitit 2018. Trupi i Malësor Dashit u gjet pesë kilometra nga vendi i ngjarjes, ky dyshohej fillimisht se kishte rënë vetura. Ndërsa, trupi i Armend Trenës, u gjet në ditën e dhjetë të kërkimeve, gjashtë kilometra nga vendi i ngjarjes, në lumin Lepenc më saktësisht në vendin e quajtur “Kulla me Çeshme”.
Në praninë e shumë qytetarëve policëve iu dha lamtumira e fundit.