Kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë hequr dorë nga greva si formë e shprehjes së tyre të pakënaqësisë për mosrritjen e pagave.
Kolegjiumi i kirurgëve, më 15 shkurt, dy muaj pasi kanë refuzuar të ofrojnë shërbime, patën dalë me deklaratë të përbashkët ku i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që t’i plotësojë kërkesat e tyre më së largu deri më 6 maj, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndonëse ka kaluar gati një javë nga konsumimi i afatit të “ultimatumit” dhe nuk janë përmbushur kërkesat e tyre, kirurgët kanë thënë se nuk do t’u rikthehen grevës dhe se për realizimin e kërkesave do të përdorin të tjera metoda proteste.
Përfaqësuesi i Kolegjiumit të kirurgëve, Arbër Morina, në një prononcim për gazetën ka thënë se ndonëse kanë kaluar gati 3 muaj, ende nuk kanë asnjë informatë nga Ministria e Shëndetësisë për këtë çështje.