Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot Ministri i Financave është autorizuar për themelimin e Fondit të Sigurisë, raporton Llapi.info.
Ky vendim është marrë në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë.
“Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës. Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria”, ka njoftuar Kurti.
E, pikërisht këtë thirrje e kishte bërë fillimisht një mërgimtar nga Podujeva që jeton në Gjermani.
Ai ditë më parë një postim në Facebook ishte shprehur i gatshëm që t’i dhuronte 10 mijë euro për forcimin e ushtrisë së Kosovës.
“10.000,00 euro i dhuroj për forcimin e FSK-së nëse kërkohet nga Ministri i Mbrojtjes së Kosovës”, ka shkruar në Facebook, Faton Blakqori.

Ndryshe, Rusia të hënën ka njohur si shtete të pavarura dy rajone në Donbass në lindje të Ukrainës dhe menjëherë ka zbarkuar atje tanke dhe mjete tjera ushtarake.
Me këtë rast, ekspertët e sigurisë kanë deklaruar se pushtimi i Ukrainës nga Rusia rrit “apetitet” e Serbisë për destabilizim të Kosovës./Llapi.info
Nisin thirrjet për mbështetje dhe forcim të ushtrisë së Kosovës






