Sikur ta kisha pasur librin e Daisy Dunnit gjatë kohës kur pretendoja të merresha me artin klasik! Kishin qenë dy autorë romakë të quajtur Plini – I riu dhe i Vjetri si njiheshin, apo axha dhe nipi i tij – dhe unë nuk kam mundur t’i dalloj kurrë, e lëre më të kuptoj se përse ia vlente të bëheshin studime rreth tyre. Dunn paraqet argumente bindëse për të dy.
Në fokus të sajin është I Riu, rreth të cilit ka më shumë të dhëna, por ajo kapërcen shpesh prej njërit tek tjetri dhe, mbase paqëllimshëm, axha madje edhe del në qendër të vëmendjes për një periudhë kohore, shkruan “The New York Times”, transmeton Koha Ditore. Si mund të garosh me dikë që ka aq shumë energji, saqë vdes teksa mundohet ta shikojë një vullkan aktiv?
Plini i Vjetër, i lindur rreth vitit 24 të erës sonë, ishte dijetar dhe person që flinte shumë rrallë dhe nuk mund të qëndronte kurrë ulur. Ai ishte natyralist dhe filozof, ushtar dhe admiral ashtu si edhe autor i palodhshëm që shkroi afër 100 libra.
Prej tyre, vetëm një ka mbijetuar: “Natural History”. Është kjo një enciklopedi 37-vëllimëshe, që pretendohet se përmban të gjitha që njiheshin asokohe rreth botës. Vëllimet janë koleksion faktesh të shumëllojshme, përfshirë idenë se elefantët frikësohen prej minjve. “Natural History” flet edhe rreth njerëzve pa kokë, me sy në kraharor dhe njerëzit me koka qeni që komunikojnë përmes lehjes.
Ishte kureshtja e tij e pangopshme që e shpuri buzë vdekjes. Kur shpërtheu vullkani në Malin Vezuv, në vitin 79 të erës sonë, ai dhe nipi i tij 17-vjeçar ndodheshin në Misenum, rreth tridhjetë milje larg, ku Plini i Vjetër ishte vënë në krye të flotës mbretërore.
I fascinuar prej një reje të pazakontë që u shfaq befas në horizont, ai vendosi që t’i shkojë më afër dhe ta hulumtojë, por ajo që nisi si ekspeditë shkencore do të shndërrohej shumë shpejt në një mision shpëtimi. Ai u shfaq në një port të quajtur Stabiae, duke shpresuar se do t’i qetësonte qytetarët e kapluar nga paniku, por më pas do të zhdukej, i ngufatur nga hiri derisa po mundohej të shtirej se nuk kishte arsye për shqetësim.
Ne i kemi mësuar të gjitha këto gjëra, pasi që nipi kishte shkruar për erupsionin dhe pasojat e tij, rreth tridhjetë vjet më vonë, përmes disa letrave dërguar historianit të madh romak, Tacitusit. Këto letra janë aq të gjalla dhe përplot me detaje mbresëlënëse rreth vuajtjeve të të mbijetuarve.