Presidenti Hashim Thaçi ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh te Memoriali “Heroinat”, raporton Ekonomia Online.

Thaçi me këtë rast ka thënë se kontributi i gruas në luftën për liri dhe pavarësi ka qenë vendimtar.

Ai më tej ka shtuar se në këtë periudhë po nderohen të gjithë të rënët për liri dhe nderim të veçantë po u bëhet grave që dëshmuan heroizëm të paparë në rajon dhe botë.

“Si shtet si shoqëri, si popull shqiptar i Kosovës dhe si komb po kalojmë ditët, javët dhe muajt e gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë, i konfirmuar dhe njohur botërisht. Po përjetojmë periudhën e dëbimit masiv të një milion shqiptarëve të Kosovës dhe vrasjen e mbi 10 mijë qytetarëve, kryerjen e 400 masakrave nga shteti i Serbisë, i vrasjes së një mijë 300 fëmijëve shqiptarë”.

“Në përpjekjen për liri, pavarësi, shtet-ndërtim, kontributi i gruas shqiptare, nga istikamet e luftës dhe format tjera ka qenë jetik për mobilizim e njerëzve dhe krijimin e kohezionit gjithpopullor. Nderimi që bëjmë sot është për femrën shqiptare për heroinat tona, që dhanë gjitha për pavarësinë e Kosovës dhe heroizmin e tyre të paparë në rajon dhe botë”.

Sipas kreut të shtetit nuk do të ketë amnisti për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, raporton EO.

Sipas tij, heshtja ndërkombëtare e ka amnistuar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë.

“Kujtojmë dhunimet e mbi 20 mijë grave nga shteti i Serbisë. Edhe sot ky nderim është përkujtim shtetëror për përdhunimet që kanë ndodhur nga shteti i Serbisë dhe përkujtim i dinjitetin dhe krenarisë të heroinave shqiptare në luftë për liri dhe pavarësi”.

“Ende nuk ka drejtësi, as lokale dhe as bashkësia ndërkombëtare për këto krime, spastrimin etnik, gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Heshtja ndërkombëtare e ka amnistuar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë”.

“Nuk ka kohë dhe nuk do të ketë faktorë që do të mund të amnistojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë. Nuk ka paqe pa drejtësi”.

Kreu i shtetit nuk ka pranuar që të komentojë për çështje aktualitetin politik në vend, raporton EO.

Memoriali “Heroinat”, i kushtohet sakrificës dhe kontributit të gjithanshëm të grave kosovare gjatë luftës së fundit.