Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka marrë vendim që të premtën, më 13.12.2019, punëtorët shëndetësorë të tri nivleve, të mbajnë grevë nga ora 07 deri në orën 15:00, në shenjë pakënaqësie për dërgimin e Ligjit të pagave në Gjykatën Kushtetuese.

Në një komunikatë për media FSSHK, njofton opinioin e gjerë se “me datë 11.12.2019 në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues diskutoi në lidhje me situatën e krijuar pas dërgimit të Ligjit mbi Pagat në sektorin publik nga ana e Avokatit të Popullit në Gjykatën Kushtetuese, si dhe bashkërendimin e aktiviteteve me Sindikatën e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Sindikatën e Policisë së Kosovës, morën vendim me shumicë votash që me datën 13 shjetor 2019 duke filluar nga ora 07:00-15:00 të mbahet Grevë e Përgjithshme brenda institucioneve shëndetësore të tri niveleve të sistemit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor me moton: ‘Presim pagat me Ligjin e ri’”, thuhet në njoftimin e Këshillit Drejtues të FSSHK-së, përcjell Telegrafi.

Ndërsa, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut sot ka marrë vendim që të autorizojë kryetarin e kësaj sindikate që nesër të vendosë nëse do të mbahet grevë dy orësh ditën e premte.

Në një konferencë për media u bë e ditur se vendimi do të merret pas konsultimeve që do të bëhen edhe me Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe asaj të Shëndetësisë.

Kujtojmë se deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të këtij viti, kishin miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik.

Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Sipas afateve të parapara në Ligj, nga muaji dhjetor i këtij vitit, punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje.