Lokale - eSIMy

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend më 2018.

Shkalla e dënimit do të shpallet pas seancës së paraparë më 8 shtator.

Avokai i Sveçlës, Laur Prenaj, thotë se vendimi i sotëm ishte vendim në gjysmë.

“Kështu që ne duhet ta presim vendimin e arsyetuar që të japim komente”.

Ai thotë se dënimi i tij është krejt i pazakontë.

“Kjo është e pazakontë në praktikë, do ta shfrytëzojmë të drejtën e ankesës”, tha ai.

Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ndërkaq, për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit.

I akuzuari Sveçla mungoi në seancë, ndërkaq i pranishëm ishte avokati i tij, Laur Prenaj.

Për këtë rast, përveç Sveçlës, aktakuza e ngritur më 29 korrik 2019 përfshinte edhe ish-deputetët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba.

Në seancën e kaluar, gjatë deklarimit në gjykatë, Sveçla tha se veprimi i tyre kishte qenë politik dhe se nuk e ndien veten fajtor.

“Nuk e ndiej veten fajtor… Akti ynë ka qenë një akt tërësisht politik, me qëllim jo të pengojmë personat në kryerjen e detyrës zyrtare, por të parandalojmë faljen ose shitjen e 8,200 hektarëve tokë të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar ai.