Policia daneze beson se të shtënat në një qendër tregtare që lanë tre persona të vdekur dhe katër të tjerë të plagosur rëndë nuk ishin të lidhura me terrorizmin duke shtuar se personi i armatosur veproi i vetëm dhe duket se i kishte zgjedhur viktimat e tij rastësisht.

Gjithashtu, policia daneze tha të hënën se i dyshuari për të shtënat në një fundjavë në një qendër tregtare në Kopenhagë që la të vdekur tre, përfshirë dy adoleshentë, ishte i njohur për shërbimet e shëndetit mendor, përcjell Telegrafi.

“I dyshuari ynë është gjithashtu i njohur në mesin e shërbimeve psikiatrike, përtej kësaj nuk dua të komentoj”, citohet të ketë thënë shefi i policisë së Kopenhagës, Soren Thomassen në një konferencë për shtyp.

Thomassen shtoi se viktimat dukej se ishin shënjestruar rastësisht dhe nuk kishte asgjë që të tregonte se ishte një akt terrori.

Shefi i policisë nuk mund të komentonte ende një motiv, por tha se dukej se kishte pasur përgatitje përpara sulmit dhe se i dyshuari 22-vjeçar nuk u ndihmua nga askush tjetër.

Tre të vrarët janë identifikuar si një vajzë dhe djalë adoleshent danez, të dy të moshës 17 vjeç dhe një shtetas rus 47-vjeçar me banim në Danimarkë.

Policia ka shtuar se besojnë se videot e të dyshuarit që qarkullojnë që nga mbrëmja e së dielës në mediat sociale janë autentike.

Në disa prej imazheve, i riu shihet duke pozuar me armë, duke imituar gjeste vetëvrasëse dhe duke folur për ilaçet psikiatrike “që nuk funksionojnë”.

Llogaritë e YouTube dhe Instagram që besohet se i përkasin të dyshuarit u mbyllën brenda natës, vuri në dukje AFP.

Të shtënat ndodhën të dielën pasdite në qendrën tregtare Fields, që ndodhet midis qendrës së qytetit dhe aeroportit të Kopenhagës.

Sipas policisë, vrasësi ka qenë i armatosur me pushkë, pistoletë dhe thikë dhe i dyshuari nuk ka pasur patentë për to.

Dëshmitarët e cituar nga media daneze përshkruan se si i dyshuari ishte përpjekur të mashtronte njerëzit duke thënë se arma e tij ishte false për t’i afruar ata.

Dëshmitarë të tjerë okularë i thanë mediave daneze se kishin parë më shumë se 100 njerëz të nxitonin drejt daljes së qendrës tregtare, ndërsa u qëlluan të shtënat e para. /Telegrafi/