Studentët kanë dalë sërish në protestë përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, duke parashtruar 8 kërkesat e tyre për arsimin.
Sot është dita e gjashtë e protestës së studentëve të Universiteteve. Fillimisht u mblodhën përpara Fakulteteve përkatëse, e më pas marshuan drejt godinës së Ministrisë.
Nuk munguan as incidentet. Studentët i hoqën megafonin një pedagogu dhe nuk e lejuan që të fliste. Ata nuk lejuan të flisnin as persona të tjerë, duke bërë thirrje që kauza e tyre të mos politizohet dhe të mos përçahen. Protesta e studentëve nuk ka një përfaqësi dhe nuk pranojnë që në dialog me ministren e Arsimit të shkojë një kryesi e tyre.
Një protestuese, duke folur për mikrofonin e ABC News, deklaroi se i kanë lënë afat Ministrisë së Arsimit deri ditën e martë për të plotësuar 8 kërkesat e tyre. Në rast të kundërt, tha ajo, protesta do të vazhdojë duke lënë të hapur edhe mundësinë e grevës së urisë.
Një tjetër studente u shpreh se nuk ka negociata për kërkesat e tyre, duke argumentuar se janë të domosdoshme për të plotësuar standardet e munguara.
Banorë të tjerë i janë bashkuar kësaj proteste, duke dalë në mbështetje të studentëve. Ndërkohë që raportohet se në protestë janë ngritur edhe studentët e Gjirokastrës, i vetmi Universitet nga rrethet që deri më tani nuk kishte dalë në rrugë, shkruan Tv Klan






