Llapi ka arritur ta regjistrojë sot një fitore të madhe. Edhe pse bëhet fjalë vetëm për një ndeshje kontrolluese, llapjanët kanë arritur ta mposhtin një skuadër ruse.

Llapi fitoi 1:0 ndaj Dynamo St. Petersburg me golin e Mirlind Dakut.

Pas fitores, trajneri, Tahir Batatina thotë me shumë siguri se ekipi i tij është për Evropë.

“Sot e vërejta se kam skuadër për Evropë. Djemtë edhe njëherë dëshmuan se mund të përballen me skuadra evropiane, madje edhe t’i mposhtin. Dua t’i përgëzoj lojtarët për angazhimin dhe disiplinën taktike të lojës. Ishte një ndeshje me ritëm të shpejtë, por ne ia dolëm t’i mposhtim në të gjitha aspektet, si në atë taktike dhe fizike me një lojë kolektive”, deklaroi Batatina për Gazetasheshi.com.

“Dua ta përgëzoj stafin tim për angazhimin dhe punën në skuadër duke filluar nga Fadil Ademi, Jeton Mehmeti dhe Labinot Qosa dhe shpresoj se me këtë staf do ta shijojmë Evropën, gjithnjë duke parë edhe angazhimin maksimal të kryetarit të klubit, Nexhat Dumnica, i cili është ndarë i kënaqur me lojën e parë testuese. Falënderim meriton edhe sekretari i klubit, Muhamet Rexhepi, i cili është sekretari më profesional”, shtoi Batatina.

Ndërkohë, tekniku llapjan ka edhe një dedikim special për fitoren, duke mos i harruar dikur shokët e luftës, Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.

“Këtë fitore, të parën në Evropë ia dedikoi atyre që dhanë jetën e tyre për lirinë e vendit. Atyre që iu vendosën shtatoret në Podujevë, konkretisht Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës. Në pamundësi që të jam në Podujevë më 31 janar kur edhe bëhet shpalosja e shtatores, ndjej përgjegjësi që fitorja t’u dedikohet atyre bashkë me ‘Legjendat’, qytetarët e Llapit dhe Gollakut”, përfundoi Batatina.

Llapi ditëve në vijim do t’i zhvillojë edhe disa ndeshje tjera kontrolluese.