Kryetrajneri i KF Llapit, Bylbyl Sokoli, në emisionin “Arena Sportive” në RTK ka folur për fitoren e fundit në Prizren dhe situatën pas lajmeve se kinse ai do të largohet nga klubi llapjan.
‘Profa’ lajmin se ka dhënë dorëheqje e ka quajtur spekulim duke shtuar se atmosfera dhe situata në klub është e mirë.
“As një deklaratë e imja nuk ka qenë që kemi pasur rast me pa në medie. Këtu spekulime kanë qenë kryekëput në dëm të Llapit me qëllim që ta dëmtojnë atmosferën tek Llapi. Këtu publikisht deklaroj se Llapi është një klub i organizuar dhe është në rrugë të mirë që të krijojë ekip cilësor të luftojë për pjesën e epërme të tabelës. Në Llap kryesisht kërkohet rend e disiplinë dhe në këtë aspekt të gjithë punojnë”, ka thënë fillimisht ai, transmeton Llapi.info.
Më tej, Sokoli ka theksuar se stafi udhëheqës i klubit së bashku me futbollistët premtojnë sukses dhe rezultat në të ardhmen.
“Ky Llap i Zahir Pajazitit, Fadil Vokrrit e llapjanëve ju garantojë se do të luftojë për pjesën e epërme të tabelës. Nuk kam dhënë asnjë deklaratë për të gjitha kanë qenë spekulime në emër tim. Ne në klub mund të kemi fërkime, por qëllimi është përmirësimi i të gjitha kushteve që kërkojnë sa ma shumë punë se Llapi ka futbollistë cilësorë. Edhe atëherë nuk pasur deklaratë se unë kam dhënë dorëheqje ka qenë kërkesë e imja që të ketë tjetër qasje në organizim e që ne medie është përfolur kinse për dorëheqje. Ju them një gjë që puna që bëhet në Llap me një bord të fuqishëm, një shtab homogjen dhe lojtarë cilësorë ju them se këto premtojnë sukses dhe rezultat në të ardhmen. Në asnjë mënyrë nuk kam dhënë ndonjë deklaratë se ka çrregullime brenda klubit. Unë pranoj se ka probleme konceptuale në mënyrën e lojës”, ka thënë tutje ai.
Sipas Sokolit, tek futbollistët e Llapit ka vend për përmirësime.
“Pjesa e epërme nuk është merita e ime, por e të gjithëve edhe futbollistëve. Mund të ketë individ të pakënaqur, Llapi është i fuqishëm. Meritat për këto rezultate janë këta futbollistë që vërtetë kanë tregu efikas si mysafir. Por, ekipi jon duhet të përmirësohet sidomos në kontrollin e topit ku edhe po punohet”, ka theksuar pos tjerash ai./Llapi.info






