Lokale - eSIMy

Vetëm tetë inspektorë janë aktualisht të angazhuar në sektorin e ndërtimit në Komunën e Prishtinës, numër ky që konsiderohet i pamjaftueshëm për mbikëqyrjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në kryeqytet.

Kështu deklaron drejtori i Inspeksionit, Bekim Brestovci, në podcastin “Ekonomia pa Filtra”, prodhim i KosovaPress-it.

Ai thotë se pavarësisht kapaciteteve të kufizuara, komuna po vazhdon me ndërprerjen e punimeve dhe rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, ndërsa bën të ditur se tashmë është siguruar edhe kontrata për rrënime, pas një periudhe kur mungonte ajo.

Sipas Brestovcit, ndërtimet pa leje janë zvogëluar gjatë vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026, ndërsa rastet e mbetura janë kryesisht në zonat periferike dhe fshatrat përreth kryeqytetit.

Ai sqaron se fillimisht ndaj ndërtuesve pa leje nxirret vendimi për ndërprerjen e punimeve. Nëse ky vendim nuk respektohet, pason vendimi për rrënim, i cili ekzekutohet pas përfundimit të procedurave ligjore dhe të drejtës së ankesës.

Brestovci tregon se në zilen zonë të kryeqytetit ballafaqohen me problemin më të madh të ndërtimeve pa leje.

Derisa flet edhe për numrin e inspektorëve në këtë sektor, ai thotë se fatkeqësisht ky numër është jo i mjaftueshëm krahasuar nevojat e kryeqytetit.