Ekipi i Tahir Batatinës, Llapi, nuk do ta shijojë pushimin vjeshtor sikurse disa nga ekipet e elitës së futbollit kosovar.

Bardh e kaltrit nga Podujeva gjatë fazës përgatitore që do ta mbajnë në Turqi, kanë aranzhuar tri ndeshje miqësore ndërkombëtare, njofton Llapi.info

Sipas njoftimit që klubi i Llapit e ka bërë në rrjetin social Facebook thuhet se “skuadrat kundërshtare janë të nivelit më të lartë se Futbolli Kosovar dhe për FC Llapin është mundësi e mirë për tu njohur me kualitetet e klubeve europiane dhe parapërgatitje për Garat Europiane të FC Llapit.”

“Të gjitha ndeshjet zhvillohen në Antalya”, thuhet në njoftimin e klubit.

Kujtojmë se ekipet me të cilat do të përballet Llapi janë FC Sudava nga Lituania, Nyiregyhaza Spartacus nga Hungaria dhe FC Septemvri Sofia nga Bullgaria./Llapi.info