Sipas ministres së Arsimit, mësimi po zhvillohet normalisht në disa shkolla, përfshirë edhe në kryeqytet.

Ministrja Arbërie Nagavci ka thënë se vijimin e mësimit e ka parë nga afër gjatë vizitave të martën.

“Me kryeministrin ishim në Qendrën e Kompetencës ‘Shtjefën Gjeçovi’, në Prishtinë ku procesi mësimor është duke u zhvilluar normalisht. Po ashtu, kam vizituar shkollën ‘Faik Konica’ në kryeqytet ku disa mësimdhënës janë duke mbajtur mësimin. Zëvëndësministri, Dukagjin Pupovci ka vizituar Qendrën burimore ‘Përparimi’ në të cilën gjithashtu ka nisur procesi mësimor”, ka shkruar ajo në Facebook.

Nagavci shtoi se mësimi po mbahet “në disa klasa e shkolla të ndryshme” si në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Vushtrri, Pejë, Deçan, Gjilan, Kamenicë, Gjakovë, Ferizaj, Shtime, etj.

Ajo i ka bërë thirrje mësimdhënësve që të kthehen në shkolla.

Të mërkurën, në një konferencë për media, kryetari i Këshillit Grevist, Reshit Kushaj, ka thënë se ka individë që kanë tentuar të mbajnë mësim me shtytjen e Qeverisë, por sipas tij, nuk ka pasur efekt ndikimi i saj.