Tre persona kanë humbur jetën të hënën në Kosovë, si pasojë e aksidenteve rrugore. Bëhet fjalë për tre aksidente, në Klinë, Ferizaj dhe Vushtrri.
Fillimisht në fshatin Dollc të Klinës, rreth orës 04:55, ka ndodhur një vetaksident me fatalitet. Sipas Policisë së Kosovës, një person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa katër të tjerë janë lënduar dhe janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës.
“Si pasojё e kёtij vetaksidenti njё person ka pёsuar me fatalitet, vdekjen e sё cilit e kanё konstatuar ekipi mjekёsor nё vendin e ngjarjёs, ndёrsa katёr (4) tё tjerё janё dёrguar nё spitalin rajonal nё Pejё pёr tretman mjekёsor dhe tё njëjtit sipas mjekёve janё jasht rrezikut pёr jetё”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se, me urdhër të Prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Një aksident tjetër me fatalitet ka ndodhur mesditën e së hënës në fshatin Koshare të Ferizajt, ku janë përfshirë dy vetura me targa vendore. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për IndeksOnline se një person 60-vjeçar ka humbur jetën.
“Sot rreth orës 12:15 kemi pranuar informatën se në fshatin Koshare të Ferizajt ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë dy vetura me targa vendore. Si pasojë e ketij aksidenti ka humbur jetën një person, mashkull, i moshës 60-vjeç, vdekja e të cilit është konfirmuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor”, ka thënë Veseli.
Ndërkohë, një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur mes tri veturave në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vdekur njëri nga gjashtë personat që mbetën të lënduar në aksidentin në Doberllukë.
Viktima është një 74-vjeshtë.
“Rreth orës 14:00, nga mjeku është konfirmuar se, si pasojë e lëndimeve të pësuara, personi me lëndime të rënda ka humbur jetën. Trupi i pajetë i viktimës, mashkull i moshës 74-vjeçare, me urdhër të prokurorit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thuhet në raport.
Policia ka thënë se hetuesit do të vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.






