Edhe pse rrjeti i ujësjellësit ekziston, banorët e rrugës “Fitorja” dhe ata të Dumnicës së Poshtme të Podujevës, tashmë e sa vite nuk kanë ujë të pijes, raporton Llapi.info.
Banorët e këtyre lagjeve thonë se për t’u furnizuar me ujë, si të vetmet alternativa kanë blerjen e ujit ose furnizimin me ta nga fshatrat Bajgorë e Brecë. E gjithë kjo, pasi që edhe uji i puseve në këto dy vende nuk është i pijshëm.
“Për ujë, ujin e kemi marrë, me ardh s’po na vjen kurrë. Edhe sahatin e kemi të ngjit, me ardh e me e pa kurrë pika s’na vjen. Në qatë fillim ka ardh pak deri në banjo, shtypja e ligë nuk na e qitke lart. I kem dy bunare po kur po turbullohet, në Bajgorë po shkojmë po e marrim se nuk po guxojmë me e pi të bunareve. Kush është në mëhallë tonë janë pa ujë. Thonë s’kem. Me ardh shtypja ma e madhe, kemi qejf sepse uji i ujësjellësit është ma të mirë se të bunareve” tha banorja Idrizi- Kosumi nga Dumnica e Poshtme.
Banori tjetër i cili jeton tashmë e 10 vite në lagjen e rrugës “Fitorja” tha për Llapi.info se për ujë të pijes i duhet të shkojë në fshatin Brecë, 23 kilometra larg Podujevës.
Ka thënë se kryetari i komunës nuk u ka kryer punë vetëm se ata përkrahin parti të tjera.
“ Qe 10 vite kam ardh qitu, ujë të pijes të ujësjellësit të Podujevës nuk kemi. Kjo pjesa qitu çka lidhemi në rrugën “Fitorja” ujë s’ka. Me kon mos me shku me e marrë ujin meni kerr llom në Brecë s’pihet hiç edhe pse i kem puset këtu. Nuk pihet. Ta bën gjygymin e tavën për tri ditë sikur me ju qit miell. Kryetari jonë, pos partisë të vetë ju kryen punë. Me kon i PDK- së edhe i partive tjera nuk i këqyrë me sy hiç. Një mësues u kon në PDK edhe i ka thënë pos nëse kthehesh në LDK sepse nuk të shti në punë e u kthye në LDK edhe i ka thënë me bo me të pa me të PDK- së të hekë apet. Kjo është marri për një kryetar të komunës. Unë kurrë në zyre si kam qenë edhe kom me vdes se nuk i shkoj” ka thënë Rrahman Fazliu.
E në një përgjigje elektronike, zyrtari për informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi ka thënë se “problemi i furnizimit me ujë për banorët e Rrugës “Fitorja” në Podujevë dhe në Dumnicë të Poshtme është kapaciteti i pamjaftueshëm i gypit kryesor furnizues.”
Sipas tij, “Kompania “Ujësjellësi”, që është përgjegjëse për furnizim me ujë, është zotuar se do të vendos një gyp me kapacitet të mjaftueshëm, për të furnizuar rrugën “Fitorja” dhe Dumnicën e Poshtme.”
Kujtojmë se në rrugën “Fitorja” dhe në fshatin Dumnicë e Poshtme jetojnë në më shumë se 200 familje të cilat kanë problem me ujin e pijes./Llapi.info