Llapi.info ka raportuar mbrëmë për një tjetër vjedhje që ka ndodhur në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, shkruan Llapi.info.

Në një shtëpi në këtë fshat, persona të panjohur kanë depërtuar brenda përmes dritares, ku edhe kanë kryer vjedhje.

Siç kanë thënë dëshmitarët për Llapi.info, hajnat kanë vjedhur para të gatshme dhe stoli ari.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se disa persona arritën të vjedhin në këtë shtëpi 8 mijë e 200 euro, para të gatshme dhe stoli ari në vlerë të 5 mijë eurove.

Gjatë kohës kur u krye vjedhja, nuk ishte asnjë person në shtëpinë që ishte cak i hajnave dhe as përkujdesje nga dikush i afërm i familjes.

Me t’u kthyer në shtëpi, posa e pa gjendjen e shtëpisë, pronari e lajmëroi Policinë e Kosovës. Njësiti policor sipas burimeve të Sinjalit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është njoftuar Njësia e Hetimeve Rajonale.

Lidhur me rastin, prokurori kujdestar ka urdhëruar që të cilësohet si “vjedhje e rëndë” dhe të nisin hetimet për kapjen e personave të dyshuar.

Banorët i kanë thënë portalit Llapi.info se ditë më parë janë regjistruar edhe tri vjedhje tjera në këtë anë.

Sipas tyre, kjo vjedhje është e katërta rend që kryhet në këtë fshat. Madje, në shtëpitë pranë njëra-tjetrës./Llapi.info