Këtë të martë u bë zbulimi i pllakës përkujtimore me emrat e 21 policëve që kanë rënë heroikisht në krye të detyrës.

Përveç familjarëve të viktimave, pjesë e kësaj ceremonie që u mbajt në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ishin edhe liderët shtetrorë si Kryeministri, Albin Kurti, dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe deputetë e ambasadorë të huaj të akredituar në Kosovë.

Në këtë organizim që u planifikua të mbahej ditën e hënë, për 10 vjetorin e rënies së policit Enver Zymberi, por u shtye për shkak se Kosova pati ditë zie, u mbajt edhe parakalimi i 10 njësive policore.

Numri i policëve të këtyre njësive të ndryshme që parakaluan kishte një kuptim të veçantë pasi secila nga këto përbëhej nga 21 zyrtarë që simbolizonin viktimat e rëna.