Lokale - eSIMy

Posteri i kryetarit të degës së Lëvizjes Vetëvendosje dega në Podujevë njëherësh edhe kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës, Bajram Ajeti është shqyer sot në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Bajçinë të Podujevës, transmeton Llapi.info.

Sipas VV- së në Podujevë “ky veprim tinëzar, është shkaktuar nga ata që frikësohen të veprojnë në dritë, nga ata që frikësohen nga fitorja e Vetëvendosjes, nga ata që bëjnë pazare natën, nga ata që qytetin dhe qytetarët i konsiderojnë pronë të tyre”

Ja edhe postimi i plotë i VV- së dega në Podujevë

Koalicionet e territ veprojnë në terr

Sot, në orët e hershme të mëngjesit, persona të paidentifikuar, tinëzisht kanë shqyer posterin e kandidatit për deputet dhe kryetarit të Qendrës së Besianës, Bajram Ajeti, të vendosur në një pronë private në fshatin Bajçinë.

Ky veprim tinëzar, është shkaktuar nga ata që frikësohen të veprojnë në dritë, nga ata që frikësohen nga fitorja e Vetëvendosjes, nga ata që bëjnë pazare natën, nga ata që qytetin dhe qytetarët i konsiderojnë pronë të tyre.
Ky veprim nuk na zmbraps e as nuk na frikëson, as neve e as qytetarin e vendosur për ndryshim. Llapjanët kurrë nuk kanë duruar një pushtet autoritar, dhe sikur çdo herë, edhe sot janë rreshtuar për ndryshim, janë rreshtuar me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë, dhe sidomos ata që angazhimin politik e bëjnë natën.

Qendra e Lëvizjes në Besianë, kërkon nga autoritetet kompetente që të hetojnë këtë veprim dhe të marrin masa ndaj atyre që në vazhdimësi përpiqen ta dëmtojnë procesin demokratik të zgjedhjeve dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!.