Në art gjithmonë janë gjërat e vogla. Merreni Shkollën e Athinës nga mjeshtri italian i Renesansës, Rafaeli, 500-vjetori i vdekjes së të cilit po shënohet gjithandej botës me ekspozita dhe shfaqje nga Milano në Londër, nga Berlini në Washington.
Miliona sy janë mrekulluar nga mbledhja e përjetshme e filozofëve, matematikanëve, shtetarëve e astronomëve të lashtë që Rafaeli i imagjinon dritëplotë në afreskën e tij të famshme.
Megjithatë, duket se një detaj i vogël afër qendrës së pikturës, prej të cilit përftohet kuptimi i njëmendtë i kryeveprës, është përvjedhur si krejtësisht i pavënë re nga historianët dhe kritikët për një gjysmë mijëvjeçari, transmeton KOHA shkrimin e BBC.
Shiheni nga afër, dhe aty nga krahu i mëngjër i shkronjësit melankolik të ulur afër mesit të pikturës, një tas i thjeshtë boje gjendet mu në skaj të një blloku të madh të mermertë, ku me lëvizjen më të vogël mund të bjerë në tokë, të bëhet copë e çikë e të hapë një vrimë të zezë në zemër të veprës së Rafaelit.
Homazh dydimensional
Ky objekt modest, madje veç ai, e shndërron afreskën e Rafaelit nga një homazh dydimensional për mendimin racional në një meditim larg më të thellë e më të papritur mbi të panjohurat e ekzistencës.
Që të kuptojmë si funksionon simbolikisht ky objekt, ne duhet të ndërmendim përse e bëri Rafaeli afreskën, ku gjendet në labirintin dritëplotë të korridoreve të dhomave të Vatikanit, dhe çfarë synoi të portretizojë piktura.
I freskët nga qyteti i moçëm i Urbinos, ku ai u lind dhe u selit si artist, Rafaeli ishte ende në mesin e të njëzetave të tij kur, më 1509, Papa Juli II e emëroi atë që të asistonte në rizbukurimin e dhomave të pritjes në Pallatin Apostolik të Vatikanit.
Vërsniku i njohur i artistit, Mikelanxhelo, u soll brenda vitit që të ndërmerrte detyrën e mahnitshme të dizajnimit dhe pikturimit të skemës së stërholluar të tavanit të Kapelës Sistine – hapësira solemne në të cilën, një dekadë më herët, konklava të fshehta kardinalësh kishin nisur të mblidheshin kurdo që zgjidhej një papë i ri.
Dhoma e parë të cilën e trajtoi Rafaeli ishte Stanza Della Segnatura, apo “Dhoma e Nënshkrimit”, e kështuquajtur si vendi ku dokumentet më të rëndësishme të Kishës nënshkruheshin, vuloseshin dhe viheshin në doktrinë. Dhoma shërbente edhe si bibliotekë e Papës, madje edhe si vendtakim i Tribunalit Suprem të Signaturës Apostolike – trupa më e fuqishme gjyqësore e Kishës Katolike.
Cilado ngjyra, forma, narrativa e ritme që do të zbukuronin katër muret e kësaj dhome monumentale do të dëshmonin, e potencialisht do të ndikonin, disa prej vendimeve më të rëndësishme që prekën jetën (dhe pasjetën) e të gjithë atyre që banuan në Perandorinë e Shenjtë Romake. Rreziqet nuk mund të ishin më të mëdha, dhe Rafaeli e dinte këtë.
Kush është kush?
Me katër mure të mëdha për t’i plotësuar dhe një reputacion për ta siguruar, Rafaeli nisi të dedikonte afreska individuale për secilën nga katër subjektet kryesore që mund të gjendeshin në bibliotekën e Papës: jurisprudencë, fe, letërsi dhe filozofi.
E para ishte një pikturë kushtuar fesë, e ndjekur sakaq nga një tjetër me temën e poezisë, e quajtur Parnassus, sipas malit ku, sipas mitit klasik, jetoi prijësi i muzave, Apoloni.
I argasur, Rafaeli ishte gati për t’iu qasur disiplinës së filozofisë, të cilën do ta lartësonte duke i bërë bashkë në një hapësirë të pakohshme thuajse një duzinë mendimtarësh me ndikim gjatë një mijëvjeçari spekulimi intelektual – nga Anaksimandri (eksponent i të gjitha gjërave të pafundme në shekullin e VII para erës sonë) te Boetiusi, autori i “Ngushëllimit të filozofisë” në shekullin e VI të erës sonë.
Por derisa Rafaeli nisi të krijonte skicat e para për afreskën ambicioze, një problem nxori krye. Si mund të pritej që një kundrues i pikturës së tij prospektive të dallonte njërin filozof nga tjetri?
Ca hapa tutje, Mikelanxhelo ishte i zënë, teksa rropatej në një skele poshtë Kapelës Sistine, me heronjtë biblikë që njiheshin kollaj prej gjesteve të tyre dramatike. Askush nuk do ta ngatërronte Noan që shpëtonte njerëzimin nga përmbytja e madhe me Zotin që krijonte planetë. Por Anistenin prej Ksenofonit? Diogjenin prej Sokratit? Mendimtarët mund të kenë mendime të ndryshme, por petkat e tyre duken njësoj.
Derisa Rafaeli nisi t’i bënte tok një kast karakteresh anakronike, ngatërrimi monumental duhet të jetë dukur gjithnjë e më i theksuar. Derisa po e mblidhte Shkollën e tij, Rafaeli duket se ka kuptuar që etablimi i identiteteve statike dhe lehtë të shqueshme do të ishte qasje e gabuar. Përkundrazi, ai përfaqësoi pështjellimin e pashmangshëm, ndaj me qëllim përftoi një ndjesi të një fluksi të pazgjidhshëm, duke e bërë kështu papërcaktueshmërinë e identitetit si filozofinë e portretit të tij të filozofisë.
Në paraqitjen e bërë, Platoni nuk është thjesht Platoni. Ai trupëzon një ndërfutje të ngjeshur të personaliteteve të ndryshme. Në duart e Rafaelit ai bëhet një llambë e identitetit në të cilën filozofi, piktori dhe epitoma e dyshimtarit përzihen dhe bëhen bashkë.
Pastaj sytë tanë e vënë re atë: tasi i thjeshtë i bojës, çuditërisht i pasur dhe i thellë me nënkuptimin e tij simbolik. Objekti ashiqare i përket shkrimtarit të zhytur në të thella – një figurë që mungon krejtësisht në skicimet përgatitore të Rafaelit.
Ai duhet të jetë përftuar më vonë, me gjasë kur puna kishte përfunduar. Si palimpsestët e tjerë të personalitetit përreth tij, figura prej kohësh është konsideruar si hibrid i më shumë se një figure historike.
Në njërën anë, ai besohet të jetë homazh për rivalin e nderuar të Rafaelit, Mikelanxhelon, me të cilin rimojnë ca tipare të fytyrës. Në të njëjtën kohë, ajri i ngrysur është sinonim me dispozicionin e dëshpëruar të filozofit parasokratik, Herakliti.
Ai njihet për përsiatjet e tij mbi rrjedhën e pandërprerë të universit, e kristalizuar në pohimin e njohur se “nuk mund të futesh dy herë në të njëjtin lumë”.
Image
Në pamje të parë, Rafaeli e ka paraqitur Platonin në një mënyrë të plotë, duke ecur pranë Aristotelit (Foto: Alamy)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.