Komuna e Podujevës në bashkëpunim me Shoqatën e Bletarëve “Llapi” kanë shënuar 20 majin – Ditën Botërore të Bletës me një manifestim me bletarë llapjanë dhe mysafirë të ftuar edhe nga Shqipëria në fshatin Herticë, transmeton Llapi.info.

Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, zëvendës Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, nënkryetarja e komunës, Marigona Lahu, dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Rudari.

Para të pranishmëve folën kryetari Bulliqi, zëvendës ministri Demelezi, kryetari i shoqatës së bletarëve “Llapi”, Raif Muqolli dhe profesori i Bujqësisë nga Shqipëria, Prenk Pepa.

Kryetari Bulliqi tha: “Në ditën ndërkombëtare të bletës, jemi mbledhur sot këtu në fshatin e bukur në Herticë për të shënuar këtë ditë të rëndësishme për bujqësinë e bletarinë, duke qenë të vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë që ka bleta për zingjirin natyror të jetës dhe për biodiversitetin në tokë. Si kryetar i komunës jam i përkushtuar tu qëndroj afër fermerëve të vyeshëm llapjanë përmes subvencionimeve për bujqësi, të cilat subvencione po kthehen në vende të reja të punës si dhe po ngrisin mirëqenien e qytetarëve tanë.

Gjatë vitit të kaluar kemi subvencionuar 105 fermerë me nga 5 shoqëri bletësh, ndërsa në këtë vit do të përfitojnë 140 fermerë me nga 5 shoqëri bletësh dhe ju garantoj se kjo mbështetje do të vjen duke u rritur në vazhdimësi” përfundoi fjalën e tij kryetari Bulliqi.

Ndërsa folësit tjerë paraqitën statistika me rëndësi për rolin që ka bleta, e cila është si burim jete për jetën bimore dhe njerëzore. Në botë janë mbi 56 milionë zgjoje të bletës, ndërsa vetëm në Evropë janë rreth 16 milionë zgjoje dhe rreth 600 mijë bletarë kultivues të rregullt.

Në këtë aktivitet u ndan mirënjohje për bletarët e vyeshëm dhe për përfaqësuesit e institucioneve, pas saj edhe grupi i vallëzimit “Shqiponjat e Llapit” i argëtoi të pranishmit me vallet e tyre.

Ky manifestim u përmbyll me një koktej rasti./Llapi.info