Deputeti aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, është shkarkuar nga pesë pozita nëpër institucione për vetëm pak muaj, shkruan Llapi.info.

Shkarkimet e tij filluan mars të vitit të kaluar. Veliu la karrigen e kryetarit të Podujevës, për postin e ministrit të Punëve të Brendshme. Rënien e parë Veliu e pësoi nga po ky post me shkarkimin që iu bë nga kryeministri Albin Kurti.

Shkarkimin Veliu e pranoi vetëm pas një muaji të fillimit të Qeverisë Kurti1. Deri tek ky vendim erdhi pas një deklarate të Veliut në Klan Kosova për gjendjen me pandeminë COVID-19, asokohe që u konfirmuan rastet e para.

Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi kishte kërkuar “shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë”, me të cilin u pajtua edhe Veliu. Mirëpo, ky propozim ishte i papranueshëm për kryeministrin Kurti.

“Personalisht jam që të ndërmerren të gjitha masat në mënyrë që të mbrohemi. Nuk është këtu çështja këtu a jemi më kryeministrin a presidentin por duhet të jemi sa më të organizuar. Po duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, kishte thënë Veliu.

E, kjo deklaratë i kushtoi atij me shkarkim një ditë më vonë. Këtë vendim e mori Kurti, ndërkohë që një adresim për medie, e pati quajtur të papranueshme për partnerin e koalicionit.

Në po atë ditë, pak para hyrjes në një mbledhje të jashtëzakonshme të thirrur nga LDK-ja, Veliu ishte shprehur se ky vendim “nuk ia ka lënë shenjë”.

“Kurrfarë përshtypje ai vendim nuk më ka bë, nuk ma ka lënë shenjë”, ishte shprehur Veliu.

Në po këtë mbledhje të LDK-së u vendos të ndërpritet koalicioni qeverisës, gjë që çoi në rrëzim të Qeverisë Kurti 1. Kjo ia mundësoi rikthimin e Veliut në pozitën e Ministrit të Punëve të Brendshme, në kohën kur Avdullah Hoti u zgjodh kryeministër.

Kalimi i Veliut në ekzekutiv, e kishte lënë komunën e Podujevës pa kryetar. Zgjedhjet në Podujevë u mbajtën  më 29 nëntor. Në këto zgjedhje, pas 20 vjetësh, LDK humbi bastionin e saj në Llap. Lëvizja Vetëvendosje i fitoi ato qysh në raundin e parë, ani pse në fushatë u angazhua mjaft shumë ish-kryetari Veliu.  

Humbja e LDK-së në Podujevë u pa si një ‘humbje’ për Veliun dhe LDK-në në tërësi. Pas kësaj disfate, Veliu pati thënë se kjo ishte humbja e parë për LDK-në në Podujevë.

 “Dega e LDK-së në Podujevë, që nga themelimi i partisë prej 31 vitesh, e pësoi humbjen e parë në zgjedhje. Është e rrallë për një parti demokratike të ketë besim aq të gjatë qytetar, të palëkundur dhe konsistent, në kohë të vështirë dhe ditë të mira. E çmoj jashtëzakonisht shumë dhe përkulem para këtij besimi që na keni dhënë për gati 31 vite. Këtë besim e kam respektuar dhe do ta vlerësoj përgjithmonë”, pati shkruar Veliu.

Veliu vazhdoi punën si ministër i Punëve të Brendshme deri më 21 dhjetor, atëherë kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Qeverinë që për udhëheq kishte Avdullah Hotin.

Ky vendim i Kushtetues i shkaktoi “shkarkimin” e tretë ish-të parit të Podujevës, Agim Veliut.

Nga po i njëjti vendim i Gjykatës, vendi shkoi në zgjedhjet të parakohshme, të cilat u mbajtën më 14 shkurt. Në këto zgjedhje, LDK-ja pësoi rënien më të madhe të saj, duke u renditur e treta. Veliu, në këtë zgjedhje, mbante numrin pesë, ndërkohë që arriti t’i mbledhte mbi 11 mijë vota, që ishin të mjaftueshme për t’u bërë deputet i legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.

Pas rezultatit të dobët në zgjedhje, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dha dorëheqje nga kreu i kësaj partie. LDK mbajti zgjedhjet e brendshme. Kryetar i saj më pas u zgjodh Lumir Abdixhiku, i cili mposhti edhe Lutfi Hazirin. Ndër vendime e para, Abdixhiku vendosi të mos ia besoj mandatin e nënkryetarit të partisë e anëtarit të kryesisë Agim Veliut.

E, shkarkimin e pestë Veliu e mori mbrëmë. LDK, të mërkurën, vendosi që në zgjedhjet që pritet të mbahen në tetor, të garoj në Podujevë me ish-deputetin Ekrem Hyseni. Madje, ky i fundit mori edhe timonin e degës së kësaj partie në Llap. Të gjitha kompetencat e partisë kaluan në dorë të Hysenit. Kështu tha Abdixhiku mbrëmë pas mbledhjes, ku u zyrtarizuan disa kandidatë për kryetarë të Komunave.

“Me vendim të kryesisë kandidati i ri i LDK-së është Ekrem Hyseni dhe kryesia e LDK-së i ka kaluar të gjitha kompetencat e garës së ardhshme tek Ekrem Hyseni. Vendime të njëjta do të jenë për secilën komunë. S’ka të bëjë me individ ka të bëjë me procesin.  Veliu nuk ka shprehur ambicie për të qenë kandidat për kryetar të komunës, kemi zgjedhur Hysenin që do ta rikthejë Podujevën sa më parë”, është shprehur ai.

Pak orë pas mbledhjes, Agim Veliu tha se s’e pranon një vendim të tillë, pasi që siç ka thënë ai, është jolegjitim. Ai për Indeksonline e cilësoi si të kundërligjshëm me statutin e LDK-së.

“Është ba një marrëveshje pa pëlqim. Kemi qenë duke diskutuar me e ba një marrëveshje të madhe e mi tejkalu të gjithat. Ata sot paskan marrë vendim ilegal, ilegjitim për mua. Është në kundërshtim me statutin e LDK-së. Nuk ka të drejtë askush pa proces me e ndryshu kryetari, me zgjedhë, shkarku ose me e ngarku. Për këtë punë Kuvendi është.  Në këtë rast Kryesia ka marrë vendim kundër statutit. Nuk ka të drejtë për këtë vendim. Ky është vendim që është marrë pa koordinimin e strukturave të LDK-së. Ky është një vendim ilegal për mua. Jolegjitim”, tha Veliu./Llapi.info

Agim Veliu shkarkohet nga kryetari i degës së LDK-së në Podujevë

Vendimi i LDK-së, reagon ashpër Agim Veliu: Është vendim ilegal, e prishën marrëveshjen

Abdixhiku i bindur: LDK do ta rikthej Podujevën, Veliu nuk deshi të kandidoj

Kush janë kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës?