ShBA-ja e ka goditur Listën Serbe për mbështetjen që i ka dhënë nënkryetarit të këtij subjekti politik, Milan Radojçiq, i cili është i kërkuar nga autoritetet kosovare.

Një zyrtar i lartë amerikan, në një përgjigje ekskluzive për Klan Kosovën, ka thënë se janë në dijeni për deklaratat e fundit të Listës Serbe për Milan Radojçiqin dhe i kanë kujtuar Listës Serbe se ai është i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit i shtetit amerikan për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional.

“Ne jemi në dijeni për deklaratat e fundit për Milan Radojçiqin. Milan Radojçiq është sanksionuar nga qeveria amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional”, thuhet në këtë përgjigje.

Lista Serbe, në një komunikatë në faqen e saj zyrtare, ka thënë sot se nënkryetari Milan Radojçiq dëshiron t’i mbrojë serbët, për të cilët pretendon se po ‘sulmohen’ nga kryeministri kosovar, Albin Kurti.

“Për dallim nga ai, për të cilin thonë se me çdo kusht do kaos dhe dëshiron t’i maltretojë serbët, Radojçiq, nga ana tjetër, bashkë me Listën Serbe, është këtu që ta mbrojë popullin serb nga mësymjet e Prishtinës”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.