Lobimi i diplomacisë serbe kundër njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.

Pas marrjes së konfirmimit zyrtar se shteti i Burundit ka tërhequr njohjen e Kosovës, tani edhe një shtet tjetër falë insistimit të diplomacisë serbe po refuzon kategorikisht që të njohë shtetin më të ri në Evropë, shkruan lajmi.net.

Ishte Ministri i Drejtësisë i Marokut, Muhammad Adjuar, ai që sot i dha premtime homologut të tij serb, Nelom Kuburoviq se Maroku ka qëndrim të pandryshueshëm sa i përket çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Pozicioni jonë është i qartë, ne nuk do ta njohim pavarësinë e njëanshme të Kosovës” citohet të ketë thënë Adjuar.

Madje, këto dy vende gjatë ditës së djeshme kanë nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, e cila siguron bashkëpunimin në shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave gjyqësore Serbisë dhe Marokut.

E ndërkaq diplomacia serbe po konsideron se po korr suksese me uljen e numrit të shteteve që kanë njohur Kosovën, apo edhe me lobimin kundër rritjes tyre, autoritetet kosovare ende nuk kanë reaguar lidhur me këtë çështje.

Madje, gjatë ditës së djeshme ishte vet Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, që deklaroi se nuk ishte në dijeni për tërheqjen e njohjes nga Burundit, shtet ky që dy zëvendësat e Pacollit, Anton Berisha dhe Gjergj Dedaj e kishin quajtur të parëndësishëm, kështu, duke u bërë një shkas më shumë për tërheqjen e njohjes nga Burundi.