Nga sot, ka startuar zyrtarisht procesi i aplikimit për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për të gjithë nxënësit e arsimit fillor të ulët dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9) në Republikën e Kosovës.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka bërë të ditur se aplikimi do të realizohet përmes platformës shtetërore eKosova dhe do të qëndrojë i hapur për dy javë, përkatësisht deri më 9 gusht 2026.
Mjetet financiare të destinuara për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore do të kalojnë drejtpërdrejt në xhirollogaritë bankare të prindërve ose kujdestarëve ligjorë që aplikojnë.
Udhëzime të rëndësishme para aplikimit
Për të shmangur vonesat ose ndërprerjen e procesit të pagesës, Ministria u bën thirrje prindërve që para se të kryejnë aplikimin të sigurohen që xhirollogaria bankare e aplikuesit është aktive dhe e saktë. Gjithashtu, kërkohet që të dhënat personale në platformën eKosova janë të përditësuara.
Të gjitha aplikimet e dorëzuara do të verifikohen nga shkollat përkatëse përmes koordinatorëve të autorizuar.
Linqet direkte për aplikim në eKosova
Prindërit mund të aplikojnë drejtpërdrejt duke klikuar në linqet përkatëse sipas klasës së fëmijës:
Për klasat 1 deri 5: Klikoni këtu për të aplikuar (rks-gov.net/469)
Për klasat 6 deri 9: Klikoni këtu për të aplikuar (rks-gov.net/471)
Procedura për shtetasit e huaj
Subvencionimi u mundësohet edhe shtetasve të huaj që posedojnë leje qëndrimi të përkohshme apo të përhershme në Kosovë, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në shkollat e vendit.
Për ata shtetas të huaj që ende nuk kanë siguruar leje qëndrimi, por i kanë fëmijët e regjistruar në institucionet arsimore, MASH do t’ia dorëzojë Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) listat përkatëse me qëllim të krijimit të qasjes në eKosova. Dokumentet për këtë kategori duhet të dërgohen me email në adresën: [email protected].
Paralajmërimi për ruajtjen dhe kthimin e librave
Në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 13/2016, Ministria rikujton se nxënësit dhe prindërit mbajnë përgjegjësi të plotë për ruajtjen e teksteve shkollore.
Në përfundim të vitit mësimor, tekstet duhet të kthehen te kujdestari i klasës në gjendje të rregullt. Në rast se librat dëmtohen me dashje, nga pakujdesia apo humbin, prindi është i obliguar ligjërisht t’i zëvendësojë ose t’i kompensojë ato.






