LDK, AAK dhe Nisma janë afër finalizimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës. Sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanajt, nënshkrimi i marrëveshjes mund të ndodhë edhe sot, teksa për diskutim kanë mbetur vetëm detajet.
“Unë mendoj se afër është nënshkrimi i marrëveshjes dhe shpresoj që shumë shpejt do të mbërrijmë ta votojmë atë… E mundshme që edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër, detajet sot kryhen”, ka thënë ai për ksp.
Ndërkohë, është raportuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë katër ministri, dhe postin e zëvendëskryeministrit të qeverisë së drejtuar prej Avdullah Hotit.
Selmanaj ka thënë se po diskutohet se cilat ministri do t’i takojnë AAK-së, por se AAK-së i takojnë katër.
“Personalisht mendoj se numri i ministrive duhet të mbetet i njëjti që të mos ketë rritje… Ne i kemi 13 deputetë, që sipas kësaj matematike ne do të duhej me i pasë 4 ministri… emrat e ministrive janë në diskutim”, ka thënë ai.
Sipas Selmanajt, qeveria e re pritet të votohet në Kuvend gjatë javës së ardhshme. Për këtë shpreh besimin se do të kenë votat e mjaftueshme.
“Për aq sa unë jam i informuar ka vota të mjaftueshme për votimin e kësaj qeverie”, ka thënë ai.