SBASHK-u u dëshiron nxënësve të Kosovës arritje të larta në garën e diturisë Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti bashkë me zv/ministrin në MASHT, Azem Guri kanë vizituar selinë e SBASHK- ut dhe kanë bashkëbiseduar me kryetarin Rrahman Jasharaj dhe anëtarët e kryesisë lidhur me garën e diturisë e cila pritet të mbahet.
Sipas njoftimit për media, SBASHK-u i ka dhënë përkrahje këtij aktiviteti dhe aktiviteteve tjera mësimore, kulturore e sportive që janë organizuar e do të organizohen në shkolla për nxënësit e Kosovës.
“Në garën e nesërme të diturisë mësimdhënësit do të jenë me nxënësit e tyre për të monitoruar garën e diturisë. Ata edhe do të vlerësojnë testet e nxënësve të tyre për të parë se cilët janë më të mirët për momentin në nivel klase e për të vazhduar pastaj këtë garë në nivel komune dhe edhe në nivel vendi. SBASHK-u apelon te mësimdhënësit , që si gjithmonë edhe tani , të dëshmohen se janë të përkushtuar për të dhënë kontributin e tyre në shërbim të nxënësve dhe arritjeve edhe më të larta arsimore në të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Në komunikatë thuhet se edhe pse është ditë vikendi, mësimdhënësit e Kosovës dëshmojnë se ishin dhe janë të gatshëm për angazhime shtesë me qëllim që nxënësit të marrin njohuri të duhura dhe ato t’i dëshmojnë përmes garave të diturisë dhe në të ardhmen edhe garave në kulturë e sport.
“Mësimdhënësit në gjithë këto beteja ishin dhe do të jenë pranë nxënësve të tyre duke bërë kështu hapërime të reja drejt një arsimi edhe më të mirë në Kosovë”, thuhet në njoftim.