Saranda Bogujevci të cilës iu masakrua familja në luftë ndërsa vet mori 25 plumba por fatmirësisht shpëtoj e gjallë, ka vendosur që kyqet në jetën politike në Kosovë, shkruan Llapi.info.
Përmes një njoftimi në Facebook, Bogujevci ka shkruar se ka vendosur që të kandidoi për deputete në Parlamentin e Republikës së Kosovës krahas Lëvizjes Vetëvendosje pasi që ajo këtë parti e sheh si shpresë për ndryshim rrënjësor të gjendjes në Kosovë.
Bogujevci vendimin për tu kyqur në politikë e ka cilësuar të vështirë megjithatë duke e parë gjendjen politike në vend, ajo ka shkruajtur se këto ia kanë lehtësuar asaj vendimin.
Njoftimi i plotë i Bogujevcit:
Është Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila ia ka hapur dyert Bogujevcit duke ia dhënë mundësinë që të kandidoi për deputete të Kuvendit të Kosovës.
Të nderuar qytetarë, miq dhe familjar,
Desha t’ju njoftoj se kam vendosur të kandidoj për deputete të Parlamentit të Republikës së Kosovës, krahas Lëvizjes Vetëvendosje! Ky vendim nuk ishte fare i lehtë për mua, duke pasur parasysh përgatitjen, detyrat dhe obligimet që ka deputeti ndaj qytetarit dhe vendit. Mirëpo,situata e vështirë në të cilën gjendet Kosova dhe nevoja emergjente për ndryshim, ma lehtësuan dhe arsyetuan vendimin.
Të dashur qytetarë, miq dhe familjar,
Gjatë luftës së fundit, më saktësisht në mars të vitit 1999, siç jeni edhe ju në dijeni, forcat paramilitare serbe ushtruan terror mbi familjen time duke masakruar pa mëshirë një pjesë të saj. Atë ditë, më qëlluan me 16 plumba në trup, por fati deshi që të mbijetoj.
Pas mbarimit të luftës, së bashku me pjesën e mbetur të familjes sime u shpërngulëm në Angli. Aty, unë dhe kusherirët e mi te plagosur kaluam vite të tëra në spitale, duke u mjekuar. Gjatë kësaj kohe, së bashku me familje kemi filluar luftën për drejtësi ndaj kriminelëve serbë. Në moshen 15 vjeçare kam dëshmuar në Gjykatën e Hagës, duke vazhduar pastaj me dëshmi kundër vrasësve serbë të familjes sime nëpër gjykatat e luftës në Serbi.
Pas dëshmisë sime dhe të familjes, në vitin 2004 dhe në 2008, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi u dënuan pesë pjesëtarë të forcave paramilitare serbe.
Sot, vazhdoj të mbijetoj për të kërkuar drejtësi dhe të dëshmoj edhe më tutje kundër krimeve, të cilat I ka orkestruar shteti serb në Kosovë.
Edhe pse kam jetuar larg Kosovës, vazhdimisht kam kontribuar përmes organizatave dhe aktiviteteve të ndryshme. Së fundi, pata fatin të punoj në pozitën e drejtoreshës pranë Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, e cila qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga kryetari Shpend Ahmeti.
Të dashur qytetarë, miq dhe familjar,
I kam hyrë kësaj sfide, me shpresë që të bëhem zëri juaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kam zgjedhur Lëvizjen Vetëvendosje, sepse atë e shoh si të vetmen shpresë për ndryshim rrënjësor të gjendjes në Kosovë.
Ju falenderoj përzemërisht për besimin dhe përkrahjen tuaj!
Saranda Bogujevci




