Sot bëhen 20 vjet nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë ishin detyruar nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.
Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kishin kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.
Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, kishte arritur kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).
16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.






