Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka deklaruar se në plazhet në kuadër të kësaj komune, çmimi maksimal për shezlong do të jetë 700 lekë.
Mersini ka thënë se janë 15 mijë metra katrorë vijë bregdetare plazh publik që do të jetë falas. Në këto plazhe, sipas saj, do të vendosen 350 çadra dhe shezlongë. Ajo ka theksuar se krahas tyre do të ketë edhe plazhe publike pa çadra dhe shezlongë, ku qytetarët do të mund të vendosin pajisjet e tyre personale.
Për sa i përket tarifës prej 700 lekësh, Brunilda Mersini ka sqaruar se këto janë plazhe publike që do të menaxhohen edhe përmes bashkëpunimit me privatët.
“Pra bizneset private në ndryshim nga një vit më parë ku kishim çmime të ndryshme deri në 2 mijë lekë, këtë vit plazhet private do të shkojnë maksimumi në vlerën 700 lekë dhe jo më tepër”, u shpreh kryebashkiakja për “Top Channel”.
Ajo ka shtuar se 700 lekë është kufiri maksimal i çmimit.
Tarifa prej 700 lekësh e plazheve private ka ngjallur diskutime në Këshillin Bashkiak dhe në qytetin e Vlorës ditët e fundit.






