Objekti i “Mullirit të Vjetër” në fshatin Rakosh të Istogut u rrënua të martën. Ai ishte gati të shembej dhe sipas banorëve përbënte rrezik për ta e fëmijët e çerdhes që gjendet pranë.

Xhevat Haxhiu, mësues në pension, di edhe për historinë e objektit që besohet se u ndërtua në fillim të vitit 1900, raporton Klan Kosova.

“Aty është blu miell kryesisht për malazezët, thonë që është furnizu me drithë prej Malit të Zi, ka punu me turbina me zjarr e me dru, nuk mendoj se ka pas diçka me rujt pasi ka qenë duke u shembë krejt”, tha Haxhiu.

Para se të vendosej për rrënimin e mullirit, komunarët konsultuan Ministrinë e Kulturës për aspektin historik të tij.

“Është kthy interpretimi që objekti nuk ka ndonjë vlerë dhe duhet të rrënohet sepse paraqet rrezik për qytetarët”, tha kryetari i Istogut, Ilir Ferati.

Në fakt puna e një dite më parë është fillimi i një projekti që parasheh rrënimin e objekteve të pashfrytëzuara që paraqesin rrezik për banorët e pengesë për zhvillimin urban të qytetit.

“Komuna ka goxha shumë objekte të ndërtuara me karakter të përkohshëm, bie fjala janë objektet afër stacionit të autobusëve që ne e kemi planifiku me zhvendosë tregun e qytetit”, tha tutje ai.

Hapësirat e liruara më pastaj planifikohet të shfrytëzohen për shërbime të tjera komunale. /Klankosova.tv