Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se greva në arsim do të vazhdojë, derisa Qeveria t’i ftojë në dialog dhe të gjendet një zgjidhje.
Jasharaj e ka cilësuar Qeverinë si fajtorin kryesor për grevën e cila po vazhdon, derisa ka kritikuar kryeministrin Kurti, i cili siç tha Jasharaj po shkon nëpër komuna e po takohet edhe me grupe të vogla të njerëzve, e në anën tjetër nuk po i takon ata.
“I dhamë edhe një afat tjetër Qeverisë, ajo sërish heshti. Greva është e ligjshme, dialogu është çelësi i zgjidhjes së kësaj çështje. Ata po kanë kohë të shkojnë edhe nëpër komuna që të takohen me grupe të vogla të njerëzve, e nuk po kanë kohë të takohen me neve. I vetmi fajtor është Qeveria. Pa dialog, kjo çështje do të vazhdojë kështu. Ne nuk po e shkelim të drejtën e fëmijëve, por po i mbrojmë të drejtat tona. Nuk është mirë të tentohet në opinion të paraqitet se po shkelet e drejta e dikujt. Qeveria nuk e ka bërë asnjë angazhim që të mos ketë greva, përkundrazi”, u shpreh Jasharaj para mediave.
Kryeministri Kurti në anën tjetër edhe sot ka kërkuar nga mësimdhënësit që të ndërpritet greva dhe nxënësit të kthehen në bankat shkollore.
Të njëjtën thirrje e ka bërë edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.