Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Fidan Rekaliu ka reaguar ndaj iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, transmeton Llapi.info.

Ai përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka thënë miqtë tanë, në krye me SHBA’në, nuk e kanë nxitur asnjëherë Kosovën në vendime të gabuara.

Sipas tij miqësinë tonë të përhershme me SHBA’të, Populli i Kosovës nuk e prish për asgjë dhe për askënd.

Ky është statusi i plotë i Rekaliut:

Gjykata Speciale, është verifikim juridik i disa dyshimeve që Kosova s’mund dhe s’duhet t’i mbajë mbi shpinë në të ardhmen e saj. E ardhmja euroatlantike e vendit, në këtë rrjedhë edhe lëvizja e lirë e qytetarëve tanë, kushtëzohet shumë nga procesi i zbardhjes së çdo dyshimi për krime të çfarëdo llojshme në periudha të ndryshme. Përpjekjet dhe sakrificat e shumta të qytetarëve tanë, i ka mbështetur bota e civilizuar dhe ato përpjekje askush s’mund t’i kriminalizojë, pavarësisht gabimeve që njerëz apo grupe njerëzish kanë mundur t’i bëjnë. Sot, kundërvënia e papranueshme ndaj politikave të miqëve tanë për rivendosje të standardeve juridike të mirëfillta në vendin tonë, ata që po provojnë, këtë po e bëjnë duke abuzuar me historinë e ndritshme të Kosovës tonë, në fund shekullin e kaluar.
Miqtë tanë, në krye me SHBA’në, nuk e kanë nxitur asnjëherë Kosovën në vendime të gabuara. Miqësinë tonë të përhershme me SHBA’të, Populli i Kosovës nuk e prish për asgjë dhe për askënd.