Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka ka realizuar një bisedë telefonike me nënkryetarin e Parlamentit Evropian, Rainner Wieland, pasi ishte i pamundur realizimi i takimit të planifikuar në Bruksel, ku kanë folur për pakon e ndihmës makro-financiare prej 100 milionë eurosh për Kosovën, dhe liberalizimin e vizave.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie të Ministrisë së Integrimit Evropian.
“Ministri në detyrë Reka, e njoftoi z.Wieland me situatën e emergjencës shëndetësore dhe masat e ndërmarra nga Qeveria në detyrë, në luftimin e pandemisë COVID-19, me ç’rast e falënderoi për ndihmën e gjertanishme për Kosovën që ka dhuruar Bashkimi Evropian, përfshirë këtu edhe ndihmën e fundit të miratuar nga Komisioni Evropian, atë të pakos së ndihmës makro-financiare prej 100 milionë euro për Kosovën”, thuhet në komunikatë.
Nënkryetari i Parlamentit Evropian, Rainner Wieland
Po ashtu kanë diskutuar për mbështetjen e Wieland dhe të parlamentarëve evropian në rrugën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë për liberalizimin e vizave.
“Reka kërkoi nga nënkryetari i Parlamentit Evropian z. Wieland, që ai dhe miqtë tjerë euro-parlamentarë të vazhdojnë të jenë zëri i Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm të BE-së, sidomos tash kur nevojitet bindja e fundit e shteteve hezituese për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Wieland rikonfirmoi mbështetjen e tij dhe të parlamentarëve evropian për Kosovën, në veçanti për liberalizimin e vizave.