Kandidati për kryetar të Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në rrjetin social ‘Facebook’, pas zgjedhjeve të balotazhit, njofton Llapi.info

Sipas tij sanksionet për të kanë ardhur si rezultat siç ka thënë ai se “nuk kam vjedhë, nuk jam korruptuar, nuk jam përfshirë në afera të ndryshme, nuk kam ditur ta gënjej qytetarin, njeriun e zakonshëm”.

Tutje Potera shkroi se “Ngela i zhgënjyer nga disa bashkëluftëtarë, u gënjeva nga disa bashkëfshatarë, nga disa “shokë”… Por populli thotë: “Rrena i ka këmbët e shkurta, u dëshpërova jo për faktin që nuk fitova po për faktin se ka humbur ka humbur ekuilibri i karakterit të individëve, ka humbur shpresa për ndalur degradimin e vlerave të mirëfillta për të cilat hymë në luftë. Ndërkaq kanë fituar sabotuesit e kësaj lufte, këtyre vlerave. Ndoshta nuk do duhej të isha i dëshpëruar, por ja që jam” shkroi mes tjerash Potera në ‘Facebook’.

Ja edhe postimi i plotë i Poterës:

Thonë se ”humbësi” ka fjalë. Ndoshta, por kisha dashur të sqarohen disa gjera.

Çka është duke u vlerësuar në Llap e Gollap?

A është duke u vlerësuar asfalti me shumë se gjaku dhe djersa (mirëqenia)?
A është duke u vlerësuar paraja më shume se dëshmorët e këtij rajoni?
A po vlerësohen milionerët me miliona të fituara në mënyrën më të ultë e më të ligë sesa qytetari i ndershëm, intelektuali, mjeku, bujku dhe profesionistet e fushave?
Kush është humbësi i vërtetë në këto zgjedhje? Mundësia për të pasur një alternative qeverisëse me ndryshe!

Të gjithë e dimë shumë mirë se cilët janë fajtorët kryesor të pasluftës për gjendjen e rëndë që kemi në shumë fusha. Ata janë dhe u takojnë të gjitha partive politike, ata kanë emra dhe mbiemra. E patëm mundësinë si sovran t’i sanksionojmë. Pse nuk e bëmë këtë? U ”sanksionova” unë. Për çka? Sepse nuk kam vjedhë, nuk jam korruptuar, nuk jam përfshire në afera të ndryshme, nuk kam ditur ta gënjej qytetarin, njeriun e zakonshëm. Kjo është arsyeja e sanksionimit tim! U fyeva dhe u quajta me gjithfarë epitetesh pa kurrfarë baze, pa kurrfarë argumenti. Pse? Për paraqitjen time të sinqertë, për garën time me një alternativë politike, për një pozitë që ende nuk e kisha, që ende nuk isha sprovuar në punë e në vendimmarrje.

Ngela i zhgënjyer nga disa bashkëluftëtarë, u gënjeva nga disa bashkëfshatarë, nga disa “shokë”… Por populli thotë: “Rrena i ka këmbët e shkurta”. Këmbët iu panë më 19 nëntor 2017. Është e çuditshme se në një ambient të tillë vlerësohen ata që dinë të gënjejnë, ata që dinë të vjedhin, ata që mashtrojnë dhe u hedhin hi syve njerëzve. Të tillët nuk quhen politikanë, të tillët janë mashtrues, sepse kanë mashtruar qytetarin, kanë mashtruar shokët e istikamit, shokët e idealit të lirisë, shokët e sakrificës, kanë mashtruar bashkëpartiakët, kanë mashtruar familjarët e tyre. Këta janë “politikanët” tanë në nivel lokal e qendror.
Prandaj jam i dëshpëruar. Jo për faktin që nuk fitova, por për faktin që ka humbur virtyti njerëzor, ka humbur ekuilibri i karakterit të individëve, ka humbur shpresa për ndalur degradimin e vlerave të mirëfillta për të cilat hymë në luftë. Ndërkaq kanë fituar sabotuesit e kësaj lufte, këtyre vlerave. Ndoshta nuk do duhej të isha i dëshpëruar, por ja që jam.

Jo rastësisht jemi të vonuar në trendët historike e shoqërore, jo rastësisht jemi të ndarë në shumë shtete, jo rastësisht kufizohemi me vetveten në të gjitha pikat. Ne rrimë e presim. Presim që të tjerët të mundohen për ne. Që të tjerët të sakrifikojnë për ne, që të tjerët të na marrin për dore e të na dhurojnë atë që është jona. Pritëm në të kaluarën, pritëm me shekuj, pritëm me dekada. Pritëm e bëmë sehirë teksa bota bënte kusuritje me pjesët tona. Pritëm e bëmë sehirë kur të tjerët luftonin e fitonin (Sllovenët, Kroatët, Boshnjakët). Pritëm edhe kur një pjesë e jona po përballej e po përflakej me soldateskën e okupatorit (Drenica, Dukagjini, Anadrini). Ne akoma presim, edhe dje edhe sot. Të gjithë ndryshuan (në një mënyrë a në një tjetër). Ne jo. Mbase nuk na duhet ndryshimi, mbase na pëlqen kjo mënyrë e jetesës, nuk na pëlqen rendi, rregulli, s`na pëlqejnë mundësitë e barabarta. Në fillim shekullin e 21 (kur bota i është rrekur universit) ne “zbavitemi” me tarafet e tipit mesjetar, me idolatrinë e kultet që i krijojmë nga asgjëja, me prapaskenat e meskinitetit e të mentalitetit primitiv. Prandaj jemi më të vonuarit.
Unë vetë jam fitues. E quaj veten të tillë, sepse nuk i shkeli parimet e mija, parimet universale njerëzore, nuk i shkeli idealet e mija e të shokëve të mi bashkëluftëtarë me të cilët kemi hyrë triumfues më 11 qershor 1999, në Prishtinë. Jam fitues gjatë gjithë kësaj periudhe të pasluftës, sepse nuk u bëra asnjëherë pjesë e aferave korruptive, nuk isha asnjëherë pjesë e strukturave konformiste për interesa të ngushta grupore. Jam fitues sepse bashkudhëtova me njerëz të ndershëm e të pastër moralisht, kombëtarisht e ekonomikisht.

Mbi këto baza kam fituar 12 mijë vota (vetëm me 6 muaj aktivnë politik) pa premtime të rreme, pa mashtrime, pa dhënie parash, vetëm me një program të arritshëm, me sinqeritet, me mendje e me zemër. Prandaj nuk do zmbrapsemi nga kjo rrugë, nga ky program.

Angazhimi dhe përkushtimi do te vazhdoj më tutje, me përkushtim e intensitet.

Do t`iu luftoj të gjithëve, pavarësisht si e ke emrin apo në cilin subjekt politik je:
Do të luftoj ty që ke shkelur vlerat e luftës;
Do të luftoj ty qe e ke fryrë listën e veteranëve e invalidëve te luftës;
Do të luftoje ty që je përfshirë në korrupsion e Nepotizem;
Do të luftoj ty që ke keqpërdorë pozitën zyrtare dhe paranë publike në të gjitha institucionet;
Do të luftoj ty për keqpërdorimin e fondit vendlindja thërret dhe në kohe më të vështira nuk kemi pas armë dhe municion;
Do të luftoj ty për keqpërdorimin e fondit 3% nga mërgimtarët;
Ty që na përfaqëson keq tek ndërkombëtaret;
Ty që na le pa ushtri të Kosovës;
Ty që bënë dënime Politike;
Ty që nuk e mbron kufirin;
Ty Klani i Agim Veliut;
Ty Klani Pronto;
Ty Klani i kujtdo qofsh;
Ty që na le izoluar nga bota e civilizuar;

Thërras kryeministrin Zotëri Ramush Haradinaj të luftosh krimin e organizuar dhe korrupsionin tash jeni në pozitën që keni kërkuar prej kohesh, bëjë Kryeministër.

Thërras ambasadën Amerikane, ambasadën Gjermane, ambasadën Angleze të mos heshtin sepse ju i dini kush është i përfshirë në krimi të organizuar e΄i korruptuar dhe duke e shkelur ligjin në Kosovë pse po heshtni?

Qytetarë të dashur është dashtë të shfrytëzohet viti 2017 për ndryshime!

Viti 2017 ka qenë vit me dy palë zgjedhje nacionale e lokale. Një vit mjaft i ngarkuar për secilin prej nesh. Gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur një angazhim të madh e të palodhshëm nga aktivistët, gjithandej Kosovës dhe në mërgatë. Po ashtu, dëshiroj të uroj për suksesin në dy palë zgjedhjet, që është rezultat i këtij angazhimi të pandërprerë, ndër vite. Pa këtë angazhim, rritja jonë do te ishte e pa para mendueshme. Kështu që këtë vit po e mbyllim me një organizatë të fuqishme, si subjekti më i madh në vend, me 32 deputetë, ndërsa në nivel komunash, me një dyfishim të këshilltarëve, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2013, duke kulmuar me fitore në tri komuna: Prishtinë, Prizren dhe Dardanë. Besiana nga 3 asamblistë arriti në 9. Subjekti i dytë politik në Komunë.

Qytetaret i urojmë dhe i falënderojmë thellësisht për bashkëpunim të këtillë edhe në angazhimin e mëtutjeshëm! Asnjëherë nuk do të dorëzohemi para të këqijave dhe të ligave, atyre që duan të na prishin të ardhmen e përgjithshme për interesa të ngushta të tyre.

Keqbërës mbrapa do të na keni si hije, deri sa të merrni atë që e meritoni.

Gjitha të mirat! Zoti na ndihmoftë!